Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar Podujevën ku pa nga afër statujën e legjendës së futbollit Fadil Vokrri.
Në postimin e saj në rrjetet sociale, Dumoshi ka falënderuar për punën, skulptorin llapjan Agron Blakçori i cili me angazhimin e tij të pareshtur po e punon denjësisht statujën e legjendës Fadil Vokrri.
Statusi i plotë:
Sot isha në Llap me një arsye të veçantë. Statuja e Fadil Vokrrit është në përfundim. Më mrekulloi deri në emocion mjeshtëria dhe reflektimi i Fadilit, të cilin shpejtë do ta kemi në bronz.
Sa u përket detajeve teknike ju informoj që faza e modelimit veç ka përfunduar. Shumë shpejtë do të përfundojë faza e gipsit dhe puna do të kurorëzohet me derdhjen në bronz, brenda të gjitha afateve të parapara. Vija vertikale e kësaj statuje do të jetë 3.5 metra.
Shpirtin e Fadilit vërtetë nuk e pasqyron asnjë statujë sepse madhështia e tij dominon secilën skalitje. Sidoqoftë, vetëm kështu do ta ruajmë të përjetshëm kujtimin për të, të përjetësuar për vendin ku ai dha gjithë dijen, potencialin e energjinë.
Falënderoj për punën, skulptorin llapjan Agron Blakçori i cili me angazhimin e tij të pareshtur po e punon denjësisht statujën e legjendës Fadil Vokrri.
Reflektimi i Fadilit të skalitur, do të jetë frymëzim për gjeneratat e reja të sportistëve të cilët falë punës e përkushtimit të tij sot prekin majat e sukseseve sportive nëpër botë.