Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë se xhandarmëria serbe do të vazhdojë të hyjë brenda territorit të Kosovës, derisa ajo pjesë e kufirit me Serbinë nuk demarkohet.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka thënë se atje ndodhen tre kalime kufitare të pakontrolluara nga autoritetet e Kosovës, përmes së cilave bëhet kontrabandimi i mallrave të paligjshme.
“Qytetarët kanë të drejtë të shqetësohen për arsye se ushtria serbe është instrument i politikës serbe prej vitit 1845 që janë shfrytëzuar për shfarosjen e shqiptarëve dhe shqetësimi i qytetarëve është normal sepse kujtesa historisë është ende. Të gjithë i kemi parasysh skenat e luftës së fundit”.
“Ngjarjet e tilla do të ndodhin edhe në vazhdimësi derisa ajo pjesë e kufirit nuk demarkohet. Lufta speciale e ka atë taktikë – luajtja në zonën gri – ku gjithmonë mes asaj që është ligjore dhe antiligjore, aty zhvillohet lufta”.
“Nuk kam parë aty të këtë pasur trupa të KFOR-it apo amerikane. Pavarësisht kësaj, prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës është e ndaluar edhe me Rezolutën 1244”.
“Është e qëllimshme, por me një motivacion tjetër, për shkak se zona është ende e padefinuar. Ky incident nuk ka përmasa të atij incidentit tjetër ku autoritetet serbe hyjnë në Kosovë dhe arrestojnë pjesëtarë të Policisë së Kosovës”.
Kajtazi ka theksuar se shteti i Kosovës e ka për obligim ta ruajë integritetin dhe sovranitetin e vendit dhe sipas tij, këtu përfshihet edhe integriteti i qytetarëve që janë në zonën kufitare.
“Ajo që dua të shtoj është fakti se atje kemi tre kalime kufitare të lira – nga pjesa e Serbisë kontrollohen; ndërsa ata që hyjnë nga Serbia në Kosovë nuk kontrollohen. Për mua shqetësim janë këto tre pika sepse Kosova rrezikohet nga këto hyrje të pakontrolluara”.
“Kontrabanda, krimi i organizuar dhe punët e këqija bëhen nga ato pika. Dobrisini, Karaçeva dhe pika te Qarri, përmes këtyre tre pikave bëhet hyrja ilegale dhe i shkaktojnë buxhetit të Kosovës dëme shumë të mëdha”.
“Është momenti i fundit që shteti i Kosovës të bëjë riorganizimin e çështjes së ruajtjes së kufirit. Kapaciteti ynë i forcave më të cilat ruhet ai kufi është minimal”.
“Nuk është problemi tek mandati i KFOR-it. Problemi jemi ne. Ne që 20 vjet nuk po organizohemi t’i bëjmë punët tona ashtu si duhet. Xhandarmëria serbe përreth kufirit të Kosovë i ka diku afër 700 vetë. Janë 3 brigada me 30 batalione. Mënyra se si ne e ruajmë kufirin në raport me forcën që ata e kanë andej, është proporcion jo i balancuar”.