Një grua 83-vjeçare dyshohet të jetë vrarë sot nga djali i saj. Vepra penale, e regjistruar si “vrasje e rendë”, ka ndodhur në rrugën “Ejup Statovci” në Ferizaj ku një 62-vjeçar me mjet të mprehtë dyshohet të ketë vrarë nënën.
I njëjti thuhet të ketë pasur probleme me shëndetin mendor dhe del të jetë emër i njohur për Policinë nga veprimet e tij të mëhershme. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë ndërkohë pritet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Agim Gashi ka bërë të ditur se informatën për këtë vrasje e kanë pranuar mëngjesin e së hënës në orën 8:20 minuta.
“Policia është përgjigjur menjëherë në vendin e ngjarjes së bashku me njësinë e emergjencës nga Spitali i Ferizajt, ku gjatë hetimeve preliminare është konstatuar se bëhet fjalë për vrasje. Policia i ka ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast dhe pas një kohe të shkurtë ka arrestuar një person i cili dyshohet për këtë vepër. Bëhet fjalë për të dyshuarin me iniciale B.Ç., 62-vjeçar ndërsa viktima është nëna e tij M.Ç., 83-vjeçare”, tha ai.
Ai ka thënë se janë gjetur disa prova që lidhen me rastin.
“Personi është intervistuar, janë gjetur disa prova të cilat lidhen me këtë rast. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje policore për 48 orë. Gjithashtu gjatë hetimit të rastit, edhe nga dëshmitarët si dhe psikologu, kemi marrë informata se i njëjti vuan edhe nga disa sëmundje mentale”, tha ai.
KosovaPress mëson se vrasja është kryer me mjet te mprehtë dhe se mjeku ka konstatuar që 83-vjeçarja ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Lidhur me këtë rast, Vjosa Baftiu, zyrtare për media në Prokurorinë e Ferizajt, ka thënë se gjatë ditës pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.
“Motivet lidhur me rastin ende nuk dihen, mirëpo dyshohet se i njëjti ka pasur çrregullime mendore… i dyshuari ka qenë edhe pacient i Qendrës së Shëndetit Mendor në Ferizaj… Prokurori e ka ndaluar të dyshuarin në kohëzgjatje prej 48 orësh ndërsa sot gjatë ditës pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, tha ajo.
62-vjeçari që dyshohet të ketë vrarë nënën e tij del të jetë emër i njohur për Policinë e Kosovës edhe nga veprimet e mëhershme të tij.
“Gjatë hulumtimit në dosjet e tij janë gjetur edhe disa raste të cilat kanë qenë personi i dyshuar në fjalë, për sjellje arrogante dhe veprimet te tjera” ka treguar Gashi.
Shtëpia ku ka ndodhur ngjarja e rëndë dhe ku ka jetuar 83-vjeçarja me djalin sot ishte e mbyllur dhe banorët përreth thanë se nuk ka anëtarë të tjerë të familjes që jetojnë aty.