Një zyrtar policor ka humbur jetën ndërsa 200 njerëz të tjerë janë lënduar në protestat që u nisën për shkak të shpërthimit që ndodhi në kryeqytetin e Libanit, Bejrut.
Dhuna ka nisur në prag të konferencës ndërkombëtare nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe sekretari gjeneral Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, më qëllim të sjelljes së donatorëve për të grumbulluar fonde për rindërtimin e Bejrutit, njofton Klan Kosova.
Demonstruesit provuan ta kalojnë një pengesë nga policia në mënyrë që të hyjnë në ndërtesën e parlamentit, para se të fillonin që t’i sulmonin disa ndërtesa të ministrive.
Para ndërtesës së Ministrisë së Jashtme, protestuesit dogjën portretin e presidentit libanez, Michel Aoun, shkruan Sky News.
“Ne po qëndrojmë këtu, i bëjmë thirrje popullit libanez që t’i uzurpojnë të gjitha ministritë”, ishte njëra nga pankartat që protestuesit mbanin në dorë. Gjithashtu, u panë mbishkrime të tilla si: “Njerëzit duan ta rrëzojnë regjimin” apo “Largohuni, ju jeni vrasës”.
Nga protestat e dhunshme që kanë nisur në Bejrut kundër qeverisë deri më tani kanë kërkuar ndihmë mjekësore 120 persona ndërsa janë shtruar në spital 55 të tjerë.
Shpërthimi i fuqishëm i rezervave të kimikateve la pas dëme në vlerë prej 15 miliardë dollarë në popullin që edhe ashtu po përballej me vështirësi financiare.