Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se UÇK-ja nuk ka nevojë të mbrohet nga krijuesit, nga vet populli shqiptar. Sipas saj, qytetarët e Kosovës kanë ndjenjë e respekt për luftën çlirimtare dhe nuk ka nevojë t’i imponohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Ajo gjatë diskutimit për projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, tha se kjo e fundit është themeluar nga vet populli i Kosovës. Për këtë, Osmani tha se kjo luftë është bërë për liri, të cilën e gëzojnë qytetarët tani.
“Pyetja themelore sot është se nga kush po rrezikohet UÇK, kur dihet që UÇK ka lindur nga populli. Ka qenë që nga themelimi ushtri e popullit të Kosovës. Një ligj i cili synon t’i normojë vlerat e luftës, në radhë të parë duhet t’i theksoj vlerat e lirisë. Sepse kjo luftë e UÇK-së, kjo luftë e popullit të Kosovës është bërë për liri. Për liritë dhe të drejtat e njeriut të cilat sot i kemi të normuara me Kushtetutën e Kosovës, e cila po ashtu ka qenë një moment i unitetit tonë nacional. Një kushtetutë e cila është votuar nga të gjithë, natyrisht përveç përfaqësuesit e Listës Serbe, ose disa përfaqësues të Listës Serbe”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, janë dy probleme themelore me projektligjin e iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Osmani ka theksuar se projektligji është bërë mbi paragjykimin se duhet mbrojtur UÇK-ja nga populli, i cili e ka krijuar vetë këtë ushtri.
“Janë dy probleme themelore këtu. E para ligji ndërtohet mbi paragjykimin se qytetarët e Kosovës nuk e respektojnë UÇK-në. Ligji është ndërtuar mbi paragjykimin se duhet ta mbrojmë UÇK-në nga vet populli që e ka krijuar. UÇK-ja nuk është në rrezik nga populli i cili është krijues i po kësaj UÇK-je. Dhe në anën tjetër kërkohet nga zyrtarët publikë që t’i mbrojnë këto vlera. Jam dakord që asnjë zyrtarë publik i Republikës së Kosovës nuk guxon të mohojë që në Kosovë nuk ka pasur gjenocid, që ka pasur krime lufte, që ka pasur krime kundër njerëzimit, rezistencë paqësore dhe pastaj të armatosur për liri”, ka shtuar ajo.
Osmani pati vërejtje specifike në përmbajtjen e këtij projektligji, për çka kërkoi sqarime, para tekstit final.
“Por, zonja e zotërinj këtu përmendet që njëra nga vlerat e UÇK-së është betimi i UÇK-së, pajtohem. Po ku është kontradikta gjatë ligjit? Betimi i UÇK-së thotë “Si pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës betohem se do të luftojë për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre”. Dhe pastaj ky ligj kërkon nga zyrtari publik, i cili mund të jetë diplomat i Republikës së Kosovës, ambasador o Republikës së Kosovës, që ta mbrojë betimin i cili kërkon bashkim të të gjitha tokave shqiptare. Dhe diplomati do të jetë në dilemë a të punojë për bashkimin e tokave shqiptare, apo ta mbrojë nenin 2 të Kushtetutës së Kosovës. Pra, në qoftë se mund të sqarohet kjo çështje në ndërkohë, në mënyrë që të mos krijohet një lloj kontradikte e tillë besoj që do i ndihmonte tekstit final të ligjit”, u shpreh ajo.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha se lufta e popullit të Kosovës ka rezultuar me mbrojtjen e pragut të shtëpisë nga secili qytetarë, por formulimet aktuale të këtij projektligji, shtoi se janë selektive, meqë përjashton Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Kosovës.