Basketbollistja nga Kosova, Astera Tuhina, është vlerësuar lartë nga faqja zyrtare e FIBA-s (Federata Ndërkombëtare e Basketbollit).
15 vjeçarja ka hyrë në mesin e lojtareve që premtojnë shumë në të ardhmen, transmeton Klan Kosova.
“Ajo luan me dy duart mjaft mirë, është e patrembur. Vitin e kaluar ka luajtur kundër lojtareve që ishin 4-5 vjet më të vjetër në Kampionatin Evropian të FIBA U20 të femrave, ku fitoi vlerësime të shkëlqyera”.
“Ajo është një shpresë e madhe për Kosovën”, thuhet në faqen zyrtare të kësaj federate.
Aktualisht, Tuhina luan në Spanjë, ku është transferuar dy vjet më parë nga Prishtina.