Të jesh grua me dy mitra është një rast i rrallë në botë, por një rast të tillë kemi hasur edhe në Kosovë.
Një grua nga Kosova e cila është diagnostikuar me dy mitra së fundmi ka kryer lindjen në QKUK.
Ajo për RTV Dukagjinin ka rrëfyer përvojën e saj nga momenti kur është diagnostikuar me një anomali të tillë.
“Kur mjekët më kanë thënë i ke dy mitra nuk kam ditur të gëzohem apo të hidhërohem. Dy mitra janë bekim por për shtatzëni më kanë thënë që është e vështirë. Ka pasur mjekë që më kanë propozuar edhe IBF por ajoi është metoda e fundit pasi unë jam shumë e re. Unë kam dashur t’i provojë të gjitha metodat natyrale”, tha gruaja e diagnostifikuar me dy mitra, përcjell Telegrafi.
Përkundër vështirësive ajo kishte vendosur t’i besoj një mjeku dhe lindjen poashtu ta bëjë në mënyrë natyrale.
“Nuk kam dëgjuar se në Kosovë mund të ketë pasur një rast të tillë. Pasi kam hyrë në internet kam parë që ka raste të ngjashme në botë”, deklaron më tej gruaja me dy mitra.
Gjinekologu Memli Morina i cili ka monitoruar rastin e gruas në fjalë thotë se kjo anomali mund të ketë ndodhur kur kjo grua ka qenë ende pa lindur.
“Është një problem i rrallë. Këto gra kanë problem të mbesin shtatzënë dhe në rast kur mbesin kanë problem të kryejnë lindjen”.
Morina thotë se në përvojën personale ky ishte rasti i tretë i tillë.
“Me rastin në fjalë kam pasur frikën se mos bebja do të lind parakohe por shkoi mirë”.
Gjinekologu thotë se zakonisht intervenimi bëhet në bashkimin e këtyre dy mitrave në një të tillë.
“Edhe në Kosovë bëhen intervenime të tilla, por jo më shumë se dhjetë brenda vitit”, deklaroi Memli Morina.