Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, po thotë se momentalisht është e rëndësishme të rrëzohet Qeveria Hoti pasi po dëmton qytetarët me menaxhim edhe të pandemisë.
Por, a është kthim i borxhit ndaj Avdullah Hotit dhe LDK-së mocioni kundër tij?
“S’ka të bëjë me ndonjë kthim të borxhit. Që nga momenti kur është votuar Qeveria Hoti, kemi theksuar që është qeveri ilegale dhe jolegjitime, duke e marrë parasysh se nuk e ka mbështetjen e qytetarëve. Kjo pasi populli më 6 tetor 2019 ka vendosur se kush është subjekti i parë në Kosovë”.
“Mos ta harrojmë që kjo Qeveri mezi qëndron në këmbë. Deputeti që ia siguroi votën e 61 po kërkohet nga organet e rendit. Gjithashtu edhe vota e Haxhi Shalës është kontestuese”.
“Më e rëndësishme është që të hiqet qafe kjo qeveri. Gabimi më i madh është ta lëmë të qeverisë në këtë mënyrë. Kjo qeveri duhet të largohet edhe në raport me dialogun sepse e ka vendosur Kosovën në një pozitë të pabarabartë karshi Serbisë. Nuk duhet ta shohim se si Qeveria Hoti po e vendos në buzë të humnerës vendin”.
Haxhiu në Info Magazine të Klan Kosovës u shpreh e sigurt se edhe vetë populli do të kërkonte rrëzimin e Qeverisë së Hotit, por thotë se këtë po e pamundëson pandemia.
“Nëse Kosova s’e kish pasë problemin me pandeminë, sheshi i Prishtinës do të ishte i stërmbushur. Nuk mund të ketë protesta në këto rrethana. Po të mos ishte kjo pandemi Qeveria s’do të ekzistonte”.
Por, a është e sigurt partia e Albin Kurtit se do të ketë sukses në iniciativën për ta hequr nga pushteti ish-zëvendësin e tij?
“Fazën më të vështirë e shoh në mbledhjen e nënshkrimeve. Kur të shkojë në Kuvend i mbetet deputetëve”.