Tri ekipe të Kategorisë Superiore, që kanë fituar të drejtën e pjesëmarrjes në Ligën e Europës, kanë pak kohë për të përgatitur ndeshjen e turit të parë, të cilën UEFA e ka programuar për t’u luajtur më 27 gusht. Siç dihet, për të shmangur sistemin vajtje-ardhje, do të luhet vetëm një takim, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar fusha në shortin që UEFA do të hedhë më 10 gusht.
Kukësi, Laçi dhe Teuta janë me sytë nga Nioni i Zvicrës për të mësuar kundërshtarin, dhe mbi të
gjitha, vendin se ku do të luhet ndeshja në këtë situatë të pazakontë prej koronavirusit. Por kush janë rivalët e mundshëm të skuadrave shqiptare?
UEFA përcakton ndarjen në vazo në bazë të koeficientit dhe në turin e parë mes skuadrave të cilësuara favorite është Kukësi. Ndërsa Laçi dhe Teuta janë në vazon e skuadrave jofavorite dhe në letër rivalët që pritet të kenë janë më të fortë.
Skuadrat e të njëjtit shtet nuk mund të përballen në këtë tur. Laçi dhe Teuta rrezikojnë të luajnë ndaj ekipeve si Partizani i Beogradit (Serbi), Steaua e Bukureshtit (Rumani) dhe Malmo (Suedi), por mund të kenë përballë edhe ekipin shqiptar të Maqedonisë, Shkëndija e Tetovës.