Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka deklaruar se doktori i orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hafir Shala, në vitin 1998 ishte kidnapuar nga strukturat e sigurisë serbe, transmeton Klan Kosova.
“Doktori i orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, HAFIR SHALA është i munguar që 22 vjet”.
“Tërë kapacitetin intelektual dhe shpirtin humanitar, dr. Hafir Shala e vuri në shërbim të popullit, si mjek, në periudhën kur shëndetësia e Kosovës u largua nga institucionet.
“Me daljen publike të UÇK-së, dr. Hafir Shala me guxim qytetar dhe përgjegjësi atdhetare ishte aty ku duhej, pranë luftëtarëve të lirisë, duke i shëruar dhe inkurajuar”.
“Duke qenë në krye të misionit të tij profesional dhe patriotik, dr. Hafir Shala u kidnapua nga strukturat e sigurisë serbe në prill 1998, në rrugë e sipër për të siguruar barnat e domosdoshme për ushtarët e plagosur”.
Thaçi ka thënë se ende nuk dihet për fatin e mjekut, ish të burgosurit politik të viteve tetëdhjetë të shekullit që shkoi.
“Mungesa e dr. Hafir Shalës është plagë e thellë për familjen e tij dhe shoqërinë tonë, ashtu si mungesa e shumë personave të zhdukur nga shërbimi sekret serb dhe segmente tjera të policisë dhe ushtrisë serbe”.
“Liria dhe pavarësia e Kosovës qëndron mbi gjakun e shumë dëshmorëve, martirëve dhe qytetarëve tanë”.
“Emri i doktor Hafir Shalës hyn në radhën e emrave që i bëjnë nder të veçantë kategorisë së të burgosurve politikë dhe mantelbardhëve që u angazhuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.