Që nga 1 korriku e deri më 31 korrik, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, janë konfirmuar gjithsej 5,339 raste të reja me coronavirus dhe kanë vdekur 173 persona.
Ditën e parë të korrikut, Kosova shënonte 54 raste të vdekjes, por ky numër brenda muajit u rrit në 227, shkruan Reporteri.net.
Në bazë të të dhënave të IKSHPK-së, vetëm brenda dy ditëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar edhe 31 viktima si pasojë e COVID-19.
Mesatarja ditore e të infektuarve dhe vdekjeve gjatë muajit korrik është 172 të infektuar dhe 5.6 të vdekur.
Kapacitetet spitalore tashmë janë në shterrje, saqë shumë nga pacientët e infektuar nuk po mund të zënë një shtrat në asnjë nga Klinikat e QKUK-së, duke u detyruar kështu që atyre t’u improvizohet nga një shtrat në pritoret e koridoreve të spitalit.
Kryeministri i Kosovës, gjatë një vizite që i ka bërë IKSHPK-së në festën e Kurban Bajramit, tha se gjendja me COVID-19 në vend është e rëndë.
Derisa ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka folur për punën dhe shtimin e kapaciteteve të QKUK-së dhe spitaleve rajonale.
Të premten, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar Spitalin e Gjakovës, nga ku ka bërë thirrje që situata me koronavirus të mos përdoret politikisht dhe të mos manipulohet me numrin e vdekjeve.
E gjatë 24 orëve të fundit, 115 pacientë janë shëruar. Prishtina vazhdon të jetë në krye të listës me 82 raste të konfirmuara me Covid-19. Më pas janë Komuna e Podujevës me 26 raste, Fushë Kosova me 18, Mitrovica me 15 raste etj.