Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka vizituar sot veriun e Kosovës.
Ai ka qëndruar në komunën e Zubin Potokut, bashkë me drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj.
Me anë të një postimi në Facebook, Veliu ka thënë se është njoftuar nga afër për punën dhe aktivitetin e stacionit policor në Zubin Potok.
“Me Kryetarin e Komunës së Zubin Potokut, Srdjan Vulovic biseduam mbi thellimin e bashkëpunimit të kësaj komune me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet shtetërore në përgjithësi, e në veçanti për nevojën e përforcimit të bashkëpunimit dhe të besimit të qytetarëve të kësaj komune në institucionet tona”, ka shkruar ai.
Përveç në Zubin Potok, Veliu ka vizituar edhe pikën kufitare të Bërnjakut.
Postimi i plotë:
Sot, bashkë me Zëvendësministrin e MPB-së Milan Radojeviç dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, vizituam Komunën e Zubin Potokut, Stacionin Policor në këtë komunë, si dhe pikën kufitare në Bërnjak.
Me këtë rast u njoftova për së afërmi me punën dhe aktivitetet e këtyre institucioneve, sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet Komuna e Zubin Potokut, zyrtarët policorë në këtë komunë, si dhe policët dhe zyrtarët tjerë kufitar, në veçanti gjatë kësaj kohe të menaxhimit të pandemisë COVID-19.
Me Kryetarin e Komunës së Zubin Potokut, Srdjan Vulovic biseduam mbi thellimin e bashkëpunimit të kësaj komune me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet shtetërore në përgjithësi, e në veçanti për nevojën e përforcimit të bashkëpunimit dhe të besimit të qytetarëve të kësaj komune në institucionet tona.
Poashtu u pritëm edhe nga Komandanti i Stacionit Policor, Zvezdan Milivojevic i cili na falënderoj për vizitën në komunën e tyre dhe njëkohësisht kërkoj që t’u mundësohet ndërtimi i stacionit të ri policor në këtë komunë.
Ndërkaq, në pikën kufitare të Bërnjakut, u njoftuam nga afër me punën që po bëjnë policët kufitar dhe doganierët në qarkullimin e mallrave dhe njerëzve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, por edhe në zbatimin e rregullave të pandemisë, ashtu si në të gjitha pikat tjera kufitare.