Avokatja Aurora Mulhaxha, ka rrëfyer për Gazetën Sinjali dhunën fizike që ushtroi ndaj saj zyrtari policor, Flamur Rexhaj. Avokatja pohon se ishte në lidhje dashurie me zyrtarin policor, por, sipas saj, Flamur Rexhaj e dhunoi për shkak të një rasti gjyqësor dhe jo për probleme personale mes tyre.
E pyetur për gjendjen shëndetësore pas sulmit fizik, Mulhaxha tha se ka pësuar lëndime trupore në të gjitha pjesët e trupit.
“Unë me të kam pas lidhje, jemi në lidhje që një vit. Problemi ka ndodh për një rast profesional e jo për rast të dashurisë.
E kam raportuar rastin për shkak të dhunës së madhe dhe maltretimeve. I kanë hetuesit të gjitha lëndimet, në të gjitha pjesët e trupit …Ka pas dhunë fizike, deri te dhuna s’ka ardhë për rast personal, por, për shkak të mosardhjes në ujdi për një çështje gjyqësore”, tha Mulhaxha për Gazetën Sinjali.
Gjatë ditës së sotme duke u thirrur në burime të veta, Gazeta Sinjali, raportoi se Flamur Rexhaj, u arrestua nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘kanosje’, ndaj avokates Aurora Mulhaxha.
Pas arrestimit, zyrtari policor është supenduar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48-orë.
Po ashtu burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se zyrtari policor ishte suspenduar edhe në të kaluarën nën dyshimin për involvim në veprën penale ‘fajdeja’.