Duke filluar nga pranvera e vitit 1992, Bosnja e Hercegovina ishte në luftë – pjesë e ndarjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë, kryesisht në vija etnike.
Në mars të vitit 1992, luftëtarët kroatë dhe boshnjakë vranë dhjetëra civilë në fshatin serb, Sijekovac. Kjo ishte masakra e parë e konfliktit, që më vonë do të bëhej më i përgjakshmi në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Një rrugë në Srebrenicë – prill, 1993 (Foto: AP)
Pasi forcat serbe të Bosnjës morën kontrollin në pjesën më të madhe të vendit, Srebrenica, afër kufirit me Serbinë, u bë qendër strehimi për civilët myslimanë, të cilët kishin ikur nga zonat e kontrolluara nga serbët, dhe bazë për luftëtarët e Armatës Boshnjake, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.
Trupat e viktimave, të varrosur në një varrezë masive, nxirren nga hetuesit – 1996 (Foto: Reuters)
Kombet e Bashkuara e kishin shpallur Srebrenicën zonë të sigurtë dhe forcat serbe ishin zotuar se nuk do ta sulmonin enklavën, me kusht që luftëtarët boshnjakë t’i dorëzonin armët.
Një grua e re gjendet e varur në pyll – 14 korrik 1995 (Foto: AP)
Megjithatë, në fillim të korrikut, serbët e nisën një sulm në Srebrenicë. Luftëtarët boshnjakë kërkuan që t’u kthehen armët, por paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara e refuzuan këtë kërkesë. Ndërkohë forcat serbe avanconin në qytet.
Një burrë mban në dorë një copë misri, duke treguar se është i vetmi ushqim që u ka mbetur (Foto: AP)
Më 10 korrik, një komandant holandez i OKB-së në Srebrenicë kishte kërkuar që sulmi serb të ndërpritej nga sulmet ajrore, por atij i ishte thënë se e ka mbushur një dokument të gabuar. Derisa ai e plotësoi dokumentin e duhur, aeroplanët kishin mbetur me pak karburant dhe u kthyen në bazën e tyre në Itali.
Komandanti kriminel serb, Ratko Mladiq, pas hyrjes në Srebrenicë, më 11 korrik (Foto: Reuters)
Më 11 korrik, trupat e OKB-së u dëbuan nga forcat serbe, të cilat po avanconin në Srebrenicë. Mladiqi kishte deklaruar: “Më në fund ka ardhur momenti për ne që të marrim hak ndaj turqve në këtë zonë.”
Sipas Institutit për Personat e Zhdukur të Bosnjës, mbi 8,000 persona u vranë në masakrën e Srebrenicës. Deri më tani janë gjetur, janë identifikuar dhe janë rivarrosur mbetjet e rreth 7 mijë prej tyre.