Në 24 orët e fundit në Kosovë tre pacientë kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit. Në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës thuhet se numri i të vdekurve deri më tani ka arritur në 97 persona.
“Numri total i rasteve pozitive është 4.512 raste nga 27.304 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 97 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftimin e IKSHPK’së.
Aty gjithashtu u bëhet thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet, të mbajnë maska, distancën dhe higjenën e duarve.
“Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.
BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!
Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”, thuhet në njoftim.
Aktualisht në vend janë 2.259 raste aktive.