Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka rezultuar pozitiv me virusin Covid-19.
Presidenti, Hashim Thaçi i ka uruar shërim të shpejtë, ku thotë se do ta tejkalojë këtë sfidë nën kujdesin personal dhe mjekësor, shkruan Indeksonline.
“Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish kryeministrit Isa Mustafa i uroj shërim të shpejtë me rastin e daljes pozitiv me virusin Covid-19. Besoj që nën kujdesin personal dhe mjekësor z. Isa Mustafa do ta tejkalojë me lehtësi këtë sfidë”, u shpreh presidenti.
Ndërsa Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka uruar shërim të shpejtë kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa i cili rezultoi pozitiv me Covid-19.
Përmes një statusi në Facebook, Haradinaj ka thënë se ky virus nuk duhet të injorohet pasi që po bëhet çdo ditë më i rrezikshëm.
Ky është statusi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë,
Sot mësova se edhe ish Kryeministri Isa Mustafa, është prekur nga koronavirusi. Përderisa ndodhemi në një situatë mjaft të vështirë të përballjes me valën e dytë të pandemisë, apeloj që të gjithë të jemi të kujdesshëm, të ruajmë veten dhe të tjerët.
Virusi ekziston. Nuk duhet ta injorojmë. Nëse që të gjithë ballafaqohemi me të, sipas udhëzimeve, atëherë do e mposhtim, pa pasur nevojë për masa më të ashpra që do e dëmtojnë ekonominë tonë.
I uroj shërim të shpejtë ish Kryeministrit Mustafa dhe të gjithë atyre që janë duke u përballur me këtë virus.
Bashkëndjej me të gjithë ata që humbën të dashurit e tyre.
Falënderoj të gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm, por në veçanti ata që janë në vijën e parë të përballjes me pandeminë, institucionet shtetërore, mjekët dhe stafin mbështetës, si dhe vullnetarët.