Një serial i dedikuar ngjarjeve tragjike të Tropojës pritet të realizohet, ku protagonist kryesor do jetë Fatmir Haklaj dhe familja e tij.
Njoftimi është bërë nga organizata ndërkombëtare World Albanian Congress WACl, shkruan Telegramisot
Me katër seri, filmi i Hollywoodit me titull “HAKLAJ”, do të kushtojë 30 milionë dollarë, dhe do risjellë në vëmendje ngjarjet e viteve ’90-2000.
Projekti-film është ideuar dhe organizuar nga një regjisor suedezo-amerikan, si dhe nga një regjisor shqiptar i krahinës shqiptare të Kosovës.
Në rolin e Fatmir Haklaj u tha se do të jetë Doktor Jurgen Malaj, por ky i fundit në një shkrim në fcb ka deklaruar publikishte se do ta refuzoj.
REFUZIMI DHE QËNDRIMI IM NË LIDHJE ME PROPOZIMIN, QË UNË TË LUAJ NË FILMIN ‘’HAKLAJ’’.
Së pari, dua të falenderoj regjisorët dhe stafin realizues për propozimin dhe vlerësimin dashamirës të tyre për të më besuar mua rolin e personazhit kryesor të filmit ‘’Haklaj’’, atë të Fatmir Haklaj.
Së dyti, lajmi u bë publik në mënyrë të gabuar në informacion, ndoshta përpara kohe, por me qëllimin e transparencës si dhe për të dëshmuar se unë dhe organizata, që unë përfaqësoj NUK kemi bërë asnjë pazar apo marrëveshje për këtë çështje. Por, thjeshtë kam marrë një propozim të sinqertë dhe sigurisht, që unë do të konsultohem gjerësisht me njerezit, që kanë ndikim dhe rol në jetën time.
Si përfundim, vendimi përfundimtar më përket mua për shkak se propozimi më është bërë mua.
Por, unë dua të shpjegohem në lidhje me propozimin dhe pse ky film NUK mund të realizohet pa pasur më përpara një drejtësi shtetërore (ligjore) apo edhe për shkak të arsyeve të mëposhtme?!
Së pari, unë nuk jam aktor dhe as nuk besoj se do të mund të arrijë të luaj ndonjë rol në filma, pavarësisht së më pëlqejnë filmat. Unë mendoj, që filmi është film dhe jeta apo realiteti janë krejt e kundërta. Ndërsa regjisorët, producentët etj., i shikojnë ngjarjet e Tropojës së atyre viteve me syrin e famës, lajmit sensacional apo mënyrën e përfitimit financiar, unë nga ana tjetër prirem ti shoh ato ngjarje me syrin realist për fatet e njerëzve të përfshirë ose jo në këto ngjarje tragjike.
Së dyti, faktet flasin se shumë njerëz janë vrarë, masakruar në këto ngjarje, me ose pa fajë. Ato vite janë vite turpi për shtetin, politikën dhe një pjesë të shqiptarëve. Shumë familje janë shkatërruar dhe shumë jetë të tjera rrezikohen ende sot nga fenomeni absurd i gjakmarrjes.
Pse? Sepse shteti duhet të vendoste drejtësi dhe jo individi me Kanunin e shpërfytyruar tashmë. Ndaj, unë do të isha shumë i lumtur në rolin tim në ‘’Pajtimin e Gjaqeve’’ si dhe në vëllazërimin e shqiptarëve mes njëri-tjetri se sa në një film, që ndoshta pas publikimit mund të ketë kontestime, gjyqe, ngjarje dhe ndodhi brenda jo afër të vërtetës së atyre viteve.
Së treti, është thuajse e pamundur të realizosh në terren një film të tillë, kur aktorët e përfshirë në këtë ngjarje janë ende të fuqishëm dhe të mprehur për gjakderdhje të vazhdueshme, njëjtë si në ato vite tragjedie.
Si përfundim, pa pasur një Shqipëri demokratike me një sistem drejtësie të pavarur dhe funksional, një shtet të së drejtës ky film nuk mund të realizohet.
Nga ana tjetër, unë jam një mjek relativisht i ri, në hapat e para të karrierës time në një vend me një mjekësi elitare si Suedia, ku edhe kërkesat profesionale janë tepër të larta.
Ndaj, përkundrejt kësaj është thuajse e pamundur për mua ta braktis në këtë moment profesionin dhe të fokusohem ndoshta 2 vjet në xhirimet e këtij projekti-film.
Në të njëjtën kohë unë jam i angazhuar në një organizatë ndërkombëtare me projekt kuvendin mbarëkombëtar, që do të mbahet me delegatë të shumtë nga mërgata dhe nga të gjitha trevat shqiptare: Kongresi Botëror Shqiptar më datat 21, 22 dhe 23 maj 2021, Prishtinë, Kosovë.
Me të gjithë dëshirën e madhe për famë e para, unë nuk mendoj se jam i duhuri për këtë rol dhe se kam të gjithë arsyet e mjaftueshme, që të refuzoj deri diku në keqardhje kërkesën e stafit drejtues të projektit-film.
Në këtë mendje mesa duket kanë rënë si përfundim edhe stafi drejtues i filmit.
I uroj suksese stafit realizues dhe le të shpresojmë ta arrijnë suksesin e projektit të tyre brilant nga ana artistike dhe mesazhit, që ky film përcjell.
Ju uroj shëndet dhe vetëm të mira familjarisht!
Jurgen Malaj, shkruan Telegramisot.com