Një person me veturë zyrtare të Policisë së Kosovës, ka shkelur rregullat e trafikut duke bërë kthim nga rruga kryesore nëpër ‘vija të bardha’. Ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘B’ në Prishtinë, shkruan Gazeta Metro.
‘Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë’, në mëngjesin e sotëm kanë publikuar dy fotografi, ku vetura e Policisë së Kosovës shihet duke thyer rregullat e trafikut rrugor.
Në fotografitë e realizuar dje në rrugën ‘B’, shihet se si një person me veturë zyrtare kalon nëpër vija të bardha dhe nga shiritat rrugor të rrugës që shkojnë në drejtim të Lagjes së Spitalit, vetura kalon mbi ‘zebra’ duke thyer rrugën dhe niset në kahjen e kundërt.
”Kosovo Police shpresojmë e gjeni lehtë këtë person me veture zyrtare, si duket të organeve të rendit. Foto është realizuar dje pasdite”, thuhet në postimin e kësaj faqe në Facebook.
Në bazë të nenit 72 të ligjit për rregullat e trafikut rrugor në Kosovë, ky veprim dënohet dhe në bazë të nenit 72, personi i cili tejkalon drejtpërdrejt para dhe në vendkalim të këmbësorëve, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëqind (100) deri në treqind (300) euro, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 1. të këtij neni.
Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej tre (3) deri në gjashtë (6) muaj, si dhe dy (2) pikë negative