Duke qenë se ditëve të fundit disa zyrtarë të KEK-ut, në mënyrë të qëllimshme, duke dashur të dëmtojnë imazhin e KEK-ut, kanë vënë në lajthitje disa media duke i dezinformuar ata dhe përmes tyre edhe opinionin e gjerë publik, KEK-u sqaron si në vijim.
Për hire të informimit të drejtë të opinionit të gjerë dhe për hire të transparencës, Korporata Energjetike e Kosovës njofton se kompania ‘ALSTOM’ është prezente në Kosovë në vazhdimësi që nga viti 1979, kjo pasi që është kompani projektuese e Termocentralit Kosova B, ndërsa në varësi të marrëveshjeve kontraktuale në TC-B gjendet që nga viti 1983/4, nga kur ky termocentral është lëshuar në punë.
Në këtë drejtim, ju bëjmë me dije se edhe nga koha e pas luftes, respektivisht nga viti 1999 – 2006, kompania “ALSTOM” ka vazhduar prezencën e saj në TC-B (gjatë menaxhimit dhe investimeve nga ndërkombëtarët) me kontrata nga BE-AER.
Madje pas zjarrit në një pjesë të madhe të këtij termocentrali qe ndodhi ne vitin 2002, kjo kompani ka bërë riparimet gjenerale në TC-B, me kontratën (nga BE-AER) për riparimin e dëmeve të zjarrit (Fire Damage Repair – FDR)
Për më tepër, kompania “ALSTOM” është prodhuesi origjinal i pajisjeve kryesore në TC Kosova B, me theks të veçantë në turbinë, gjenerator dhe sistemin e monitorimit dhe kontrollit (DCS) të komplet termocentralit Kosova B. KEK-u që nga ndërtimi i TC B-së, për shkak të drejtës autoriale të prodhuesit ka qenë e detyruar të kontraktoj kompaninë “ALSTOM” për blerje – riparim por edhe instalim të këtyre pajisjeve kritike në kuadër të TC B-së.
Prandaj, për shkak të kufizimit të së drejtës autoriale të prodhuesit na e pamundëson kontraktimin e këtyre shërbimeve/furnizimeve me prodhues të tjerë për pajisje të TC B-së.
Pra kompania “ALSTOM”, si projektuese e TC-B-së ka qenë e përfshirë në të gjitha proceset e këtij termocentrali që nga themelimi dhe vazhdon të jetë edhe sot.
Vlen të theksohet se të gjitha kontraktimet e deritanishme me kompaninë “ALSTOM” janë zhvilluar në harmoni të plotë me LPP. Në këtë drejtim, sa i përket kontratave mes KEK dhe “ALSTOM”, ne jemi të gatshëm tu ofrojmë transparencë të plotë në të gjitha kontratat që ekzistojnë në arkivat e korporatës, gjithnjë duke respektuar ligjin për qasje në dokumentet zyrtare.
Fare në fund, Korporata Energjetike e Kosovës, duke qenë e bindur se këto shpifje nga zyrtarë të caktuar të KEK-ut, pikërisht pas 40 vite bashkëpunimi në mes të KEK-ut dhe partnerit strategjik “ALSTOM” janë të qëllimshme dhe po dezinformojnë opinionin e gjerë publik, së shpejti do të fillojë me marrjen e masave adekuate administrative konform rregulloreve të brendshme dhe legjislacionit në fuqi duke përfshirë edhe organet relevante të drejtësisë. E gjithë kjo me qëllim të transparencës dhe mbrojtjes së imazhit të KEK-ut.
Me respekt,
Departamenti për Marrëdhënie
me Publikun dhe Komunitete
KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVES