Koalicioni i arritur me shumë bujë mes Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re është futur në krizë ende pa filluar zyrtarisht fushata parazgjedhore.
Gazeta online ”AktivPress” mëson nga burimet zyrtare se marrëveshja e nënshkruar mes Fatmir Limajt e Behgjet Pacollit, është në prag të zhvleftësimit të saj nga ana e AKR-së.
Siç merret vesh, burimi i pakënaqësisë është në listën e kandidatëve për deputetë.
AKR pretendon se Nisma nuk po tregohet fer në përpilimin e kësaj liste.
Sipas burimeve brenda koalicionit, partia e Behgjet Pacollit ka shfaqur pakënaqësi në momentin kur është diskutuar për “strategjinë e pesësheve” në lista.
Kjo është një formulë e aplikuar edhe më herët, me çrast partia e përcakton se në cilat zona duhen votuar pesëshet e deputetëve.
Të njëjtat burime kanë treguar se tashmë AKR është duke i shikuar mundësitë që të regjistrohet në KQZ si parti e vetme edhe pse tashmë është regjistruar si koalicion parazgjedhor.
Dy kryetarët e subjekteve, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli, me 23 gusht, kur e patën nënshkruar marrëveshjen qenë shprehur optimistë duke thënë se janë pretendentë seriozë për t’i fituar zgjedhjet e 6 tetorit.
Bile Pacolli e pati quajtur koalicionin Nisma AKR si “boshti i artë”, ose qendra e tretë e cila do të ishte kyçe në formimin e qeverisë së ardhshme.