24 aksidente në 24 orët e fundit, tre prej tyre vetëm brenda një ore në Pejë
Është raportuar për 24 aksidente me të lënduar dhe me dëme materiale përgjatë 24 orëve të fundit në tërë territorin e Kosovës, ndërsa janë shqiptuar 852 tiketa trafiku, shkruan Gazeta Metro.
Ndër këto aksidente të ndodhura gjatë ditës së shtunë, tre prej tyre janë shënuar për brenda një ore vetëm në rajonin e Pejës.
Kështu ishte bërë e ditur dje nga ky rajon, përkatësisht nga ora 17:00 deri në orën 18:00, Policia e Kosovës ka informuar se janë shkaktuar tri aksidente trafiku në rajonin e Pejës, aksidente këto të cilat janë përcjellur edhe me lëndime trupore dhe me dëme materiale.
Ndërkaq, shkaktarë thuhet të jenë ndryshimet atmosferike dhe reshjet e hovshme të shiut, raste këto që kanë bërë PK’në që të apelojë te ngasësit e veturave të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes dhe të adoptojnë shpejtësinë konform kushteve të rrugëve.
Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur në rrugën nacionale të Kamenicës, ku një person është vetë-aksidentuar si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës, me ç’rast edhe ka humbur kontrollin mbi automjetin duke u rrokullisur.
“Si pasoj e aksidentit lëndime trupore kishte pësuar drejtuesi i veturës dhe pasagjeri mashkull kosovar të cilët janë dërguar ne spital dhe janë ndaluar për shërim te mëtutjeshëm”, ka bërë të ditur tutje policia.