Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, në një periudhë kohore prej dy javësh e presin ngjarje tejet të rëndësishme. Fillimisht më 21 qershor Vuçiq do t’i nënshtrohet vullnetit të popullit në zgjedhjet që do të mbahen në Serbi. Pastaj pas pak ditësh do të udhëtojë drejt Rusisë për takim me Putinin e një ditë pas takimit me presidentin rus do të udhëtojë për takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë.
E para gjithë këtyre zhvillimeve, kreu i shtetit serb ka pritur sot në Beograd, krye diplomatin rus, Sergeri Lavrov, me të cilin ka biseduar për dialogun Kosovë-Serbi.
“Sot kemi diskutuar të gjitha çështjet e rëndësishme. Si president i vendit jam i shqetësuar për gjetjen e një zgjidhje për problemin me Kosovën. Është e dukshme që na pret një periudhë ekstremisht e vështirë në mënyrë që të realizohen disa plane”, ka thënë Vuçiq, shkruan B92.
Presidenti serb ka thënë se do të jetë shumë i kujdesshëm për idetë që do t’i prezantohen Serbisë në tavolinë.
“Unë dua ti them popullit tim: Kohë të vështira kemi përpara, por ne duhet të jemi të bashkuar. Këto janë ndoshta kohërat më të vështira që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës para 12 viteve”, ka thënë ndër të tjera Vuçiq.
Për dialogun në konferencë për media ka folur edhe kryediplomati rus. Lavorv ka thënë se Bashkimi Evropian duhet që të bëjë përpjekje që të realizohen marrëveshjet të cilat janë arritur deri tani në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke specifikuar Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, si një marrëveshje të pa implementuar nga Kosova.
Ai tutje ka thënë se Moska do të mbështet çfarëdo iniciative që ndihmon Serbinë dhe Kosovën të arrijnë një marrëveshje.
“Ne do të mbështesim të gjitha iniciativat që do të ndihmojnë Beogradin dhe Prishtinë të arrijnë një marrëveshje”, ka thënë Lavrov.
Përveç tjerash Lavrov ka thënë se Rusia do të duhet të aprovojë çfarëdo zgjidhje që mund të arrihet në mes të Kosovës dhe Serbisë në fund të qershorit në Washington.
Lavrov ka theksuar se BE-ja ka mandatin për të ndërmjetësuar problemin mes Kosovës dhe Serbisë, derisa ka shtuar se çfarëdo marrëveshje duhet të aprovohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, institucion ku Rusia ka të drejtën e vetos.
“Në çdo mënyrë të mundshme në do të mbështesim ide qasje të cilat nuk e cenojnë interesin e Serbisë”, ka shtuar Lavrov.