Në ditën kur kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka pasur të paraqitet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ai ka vendosur ta “sfidon” shtetin dhe drejtësinë kosovare duke zhvilluar takime.
Agim Ademi sot ka zhvilluar një takim me Shkumbin Veliun, i cili është djali i Agim Veliut, ministritë të Punëve të Brendshme në Qeverinë Hoti.
Djali i Veliut madje ka postuar foton e takimi në Facebook me mbishkrimin “takim miqësor”, ku të pranishëm ishin edhe sekretari i FFK’së, Eroll Salihu dhe kryetari i tifozëve “Dardanët”, Lul Berisha.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për shkuarje në vuajte të dënimit për kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi. Sipas kësaj urdhërese, Ademi obligohet që të paraqitet më 18 qershor 2020, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Në rast se Ademi nuk do të paraqitet vullnetarisht, atëherë sipas urdhëresës, gjykata do të lëshojë urdhërese për ndalim, arrestim dhe dërgimin me forcë në Shërbimin Korrektues përkatësisht në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Për çka akuzohet Agim Ademi?
Deri te lëshimi i kësaj urdhërese vjen pasi që në muajin shkurt 2020, Gjykata e Apelit ia kishte vërtetuar dënimin prej nëntë muajsh burg efektiv, që gjykata e shkallës së parë më 5 korrik 2019, ia kishte shqiptuar kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.
Gjithashtu, dënimi me burg me efektiv prej një viti, gjykata e shkallës së dytë ia kishte vërtetuar edhe të akuzuarit tjetër, Muharrem Rama.
Të dy këtë ishin shpallur fajtor për veprën penale “Detyrim në tentativë”.
Ndaj aktgjykimeve të shkallës së parë dhe Apelit, mbrojtja e Ademit dhe Ramës i ishte drejtuar Gjykatës Supreme, me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.
Aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit është ngritur me 14 janar 2014, në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it, me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMË X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.
Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMË X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.