Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrahman Rama ka thënë se 26 pjesëtarë të FSK’së janë infektuar mekoronavirus.
Rama tha se të gjithë janë raste kontakti, të cilët janë duke qëndruar në vetë izolim dhe janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore.
“Fatkeqësisht i kemi 26 pjesëtarë të FSK’së, ku pas testeve që i kemi bërë dje kanë dalë pozitiv. Duhet ta kuptojmë që edhe ata janë qytetarë të Kosovës, dhe të gjithë janë raste kontakt. Për fat të mirë gjendja e tyre shëndetësore është shumë e mirë. E kemi qendrën mjekësore, të cilët janë në kontakt me ta. Nuk kemi asnjë pjesëtarë të FSK’së që është në gjendje të rëndë, por të gjithë janë nëpër shtëpi të tyre”, ka thënë Rama, transmeton Telegrafi.
Ai nuk tregoi se sa mund të jetë numri i atyre që priten të testohen si raste kontakti, por tha se kryesisht të infektuarit janë nga disa rajone të Kosovës.
I pyetur se nëse shpallet gjendja e jashtëzakonshme, a është e gatshme ushtria, ai tha: “Ushtria gjithmonë është gati dhe nuk do të ndalet. Pavarësisht këtij numri ne do ta vazhdojmë me planet, objektivat dhe punët tona ditore”.