Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e ka përshëndetur iniciativën e SHBA-së për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë në Washington.
Veseli ka shkruar në Twitter se institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë që marrëveshja finale garanton njohjen e pavarësisë dhe anëtarësimin e vendit në OKB.
“E mirëpres iniciativën e Richard Grenell, për të vazhduar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë një marrëveshje që garanton njohje dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Roli i të dërguarit special të BE-së Miroslav Lajcak në këtë proces është me rëndësi”, ka shkruar Veseli në Twitter.
Këto komente në Twitter, Veseli i ka bërë pak orë pasi të mërkurën gjatë ditës ka takuar të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Duhet theksuar se PDK-ja tani po kërkon rritjen e rolit të BE-së, ani pse është evidente që presidenti Thaçi dhe Qeveria janë pozicionuar pro dialogut të ndërmjetësuar nga Amerika.
Këtë gjë e ka kërkuar edhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kishin kritikuar të dërguarin e SHBA-së për dialogun, Richard Grenell, për qasje arbitrare në dialog dhe për plan për marrëveshje të shpejtë.
Ndryshe, Kosova dhe Serbia do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, takim ky që po shihet si rifillim i dialogut të bllokuar që prej vitit 2018.