Policia e Kosovës ka reaguar të premten ndaj ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq.
Policia përmes një komunikate ka thënë se Jevtiq në postimin në rrjete sociale dhe përmes faqes zyrtare të Ministrisë ka aluduar se shqiptarët kanë rrahur qytetarin P.M. të nacionalitetit serb, i kthyer për të jetuar me familjen e tij në fshatin Oprashkë të Komunës së Istogut.
Sipas Policisë së Kosovës ajo që ka shkruar ministri Jevtiq dhe ajo që thuhet në komunikatë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, nuk qëndron. Në komunikatë të ministrisë thuhet se Petko Miletiq është rrahur nga shqiptarët.
Policia ka përsëritur se bëhet fjalë për dy të arrestuar për këtë rast që janë të komunitetit egjipitian.
“Konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, se personat e dyshuar nuk janë shqiptarë dhe se rasti nuk ka të bëjë me sulm ndaj personave të kthyer për të jetuar në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e policisë.
Edhe në rrjete sociale ministri Dalibor Jevtiq kishte shkruar se qytetari serb ishte rrahur nga shqiptarët, që doli të mos jetë e vërtetë. Duke u bazuar në postimin e tij dhe atë të ministrisë që Jevtiq drejton, shumë media, kryesisht në Serbi, i kanë dhënë konotacion politik rastit.