Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, gjatë ditës së djeshme dha një deklaratë se Qeveria është duke diskutuar me Trustin Pensional të Kosovës që të lejohet tërheqja deri në 10% të kursimeve të kontributdhënësve, në mënyrë që t’ua lehtësojnë qytetarëve krizën e shkaktuar nga pandemia Covid-19.
Mirëpo, ideja e ministres Bajrami tani për tani, nuk mund të zbatohet me kornizën aktuale ligjore, pasi sipas ligjit për Llogaritë individuale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, mjetet e alokuara në llogaritë individuale mund të merren vetëm në tri raste. Me rastin e pensionimit, të vdekjes dhe të paaftësisë fizike të individit të caktuar apo në këtë rast të kontributdhënësit. Përndryshe në asnjë rast tjetër, këto kursime nuk mund të shfrytëzohen.
“Pandemia shkaktoi dëme të mëdha. Ne duhet të investojmë deri 2.5 miliardë nga buxheti. 70% e bizneseve do të subvencionohen. Po diskutojmë edhe me Trustin për të lejuar tërheqje deri në 10%.’’, ka thënë dje ajo.
Sipas ministres Bajrami, Trusti do të lejojë mundësinë që secili të mund të shkojë të tërheqë deri në 10 për qind të kursimeve të tij, ndërkaq nga ana e Trusti-t për Buletinin Ekonomik vetëm konfirmuan se Trusti zbaton bazën ligjore aktuale, ku qytetarët pra, kanë mundësi t’i tërheqin kursimet e tyre vetëm në tri rastet e përmendura më sipër, në kohën e pensionimit, vdekjes dhe paaftësisë fizike të personit të caktuar.
E ideja e ministres Bajrami ishte që për ta mundësuar këtë tërheqje të mjeteve të alokulara nga qytetarët, fillimisht duhet të bëhet ndryshimi i dy neneve të Ligjit për Kursimet Pensionale, në mënyrë që t’ia lejojë Trustit ta bëjë këtë gjë.
Kurse, Jeton Demi, Menaxher i Marrëdhënieve me Publikun brenda Trustit Pensional të Kosovës, tha se për ta bërë të mundur tërheqjen e kursimeve pensionale, patjetër se duhet të bëhet përgatitja e një kornize ligjore të re.
“Kuptohet se për të bërë të mundur tërheqjen e kursimeve pensionale, përveç mundësive që janë aktualisht, domosdo duhet përgatitja e kornizës ligjore”, ka thënë Demi për Buletini Ekonomik.
Ndryshe, sipas ministres Bajrami kategoritë të cilat do të rimbursoheshin ishin këto: ata që kanë 10 mijë euro mjete të kursyera do të rimbursoheshin të gjithë, ata që kanë mbi 10 mijë, mund të rimbursoheshin deri në 50%, kurse ata që kanë mbi 20 mijë mjete të kursyera, mund të mos rimbursohen fare.
“Ideja themelore ka qenë që të tërhiqen 10%. Kjo nuk është shumë problematike për Trustin. E dini që Trusti ka investime. Por ajo mund t’i shesë obligacionet për një periudhë të shkrutë kohore. Krejt cka na duhet është një ndryshim i dy neneve që t’i lejojmë Trustit që të bëjë këtë. Tani jemi në konsultime me ekspertë nëse Qeveria do të rimbursojë brenda një periudhë të gjithë, apo vetëm disa. Këto do të bëhen me kategori. Ata që kanë 10 mijë do t’i rimbursojmë të gjitha. Ata që kanë mbi 10 mijë po mendojmë t’ju kthejmë 50%. Ndërsa ata që kanë mbi 20 mijë të kursyera, atëherë mund që të mos rimbursohen fare”, kishte thënë ajo.
Ndërkohë ajo tha se për kalimin e buxhetit në Kuvend kërkohet mirëkuptim edhe nga ana e deputetëve të Kosovës.
‘’Pakoja emergjente është duke punuar në kohën që po flasim. Ndërkohë, ne kërkojmë mirëkuptimin e deputetëve që buxheti të kalojë’’, shtoi tutje Bajrami.