Pas ndërhyrjes së rrallë kirurgjikale në Londër, e cila ndau dy binjakët e ngjitur, prindërit bashkë me dy fëmijët e tyre janë rikthyer tashmë në Turqi nga ku deklarojnë se kanë “rilindur”.
Binjakët Yigit dhe Derman Evrensel, të cilët bëjnë 2 vjeç më 21 qershor, lindën në Antalia të bashkuar në kokë me njëri-tjetrin.
Lexo Edhe:
Operacioni i veçantë i ndarjes së binjakëve turq
Mjekët në Turqi nuk e morën përsipër ndërhyrjen dhe kontaktuan me kolegët e tyre në Londër, ku binjakët u dërguan vitin e kaluar dhe iu nënshtruan 3 operacioneve. Më 28 janar, ata ishin të ndarë dhe që prej asaj periudhe u monitoruan dhe u nënshtruan trajtimit të mëtejshëm në spital, shkruan Daily Mail.
Të mërkurën, ata u rikthyen në vendlindje. Pasi mbërritën në Turqi, babai i fëmijëve u shpreh: “Ata do të rifillojnë sërish jetën, nuk kanë asnjë problem. Ne do të rifillojmë gjithçka nga e para”, u shpreh Omer Evrensel.
Edhe bashkëshortja e tij u shpreh tejet e lumtur. “Unë kurrë nuk mund t’i lija ata vetëm as për një sekondë, por as nuk mund t’i përqafoja. Jam e lumtur që agonia e tyre tashmë ka mbaruar”.
“Kur i pash të ndarë, shpërtheva në lot. Kjo ishte ëndrra jonë e vetme. Tashmë ata mund të luajnë dhe mund të bëjnë gjithçka që dëshirojnë, po ashtu si bashkëmoshatarët e tyre”, është shprehur babai i fëmijëve.
Binjakët “Craniopagus”, me kokë të bashkuar, janë raste jashtëzakonisht të rrallë, një rast në 2,5 milionë lindje dhe shumica e tyre nuk jetojnë më shumë se një ditë.