Tashmë Kosova dhe Shqipëria kanë hapur kufijtë, derisa nuk ka as masa për hyrjen e qytetarëve nga të dyja shtetet.
Marrë parasysh se sezoni veror ka nisur, nesër në Kosovë do t’vijë kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu si edhe përfaqësues nga bizneset turistike të Lezhës.
Ky i fundit do ta zhvillojë një takim me kryetarin e Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës dhe njëherit kreun e Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj dhe Këshillin drejtues të kësaj shoqate, transmeton Indeksonline.
Takimi do të mbahet nesër (e enjte) nga ora 11:00, ndërsa përmes mediave, qytetarët do të kenë mundësi të njoftohen për prezantimin e ofertave turistike të Shëngjinit.
Kujtojmë se Shëngjini mbetet një nga destiancionet më të pëlqyera të kosovarëve për të kaluar pushimet verore, marrë parasysh edhe atraksionet e shumta që ofron kjo pjesë e Shqipërisë.
Ky aktivitet do të mbahet në Odën Ekonomike të Kosovës.
Kujtojmë se kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu në një intervistë për Indeksonlinen ka thënë se Shëngjini po bëhet gati për kosovarët dhe se i pret një realitet ndryshe.