Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për udhëheqjen e dialogut Kosovë-Serbi. Thaçi tha se gara e vërtetë në këtë dialog është me Serbinë dhe jo se kush do ta udhëheqë dialogun. Megjithatë Thaçi tha se bashkë me Hotin do ta plotësojnë njëri-tjetrin.
“Ne duhet ta plotësojmë njëri-tjetrin. Nuk është kjo garë, ne garën e kemi përballë Serbisë. Në momentin që vijnë ftesat, gjithçka është e qartë. Gjithashtu edhe kushtetuta dhe ligjet e vendit janë shumë të qarta. Unë besoj që vetëm SHBA’ja mund të sjellë njohjen reciproke Kosovë-Serbi”, është shprehur Thaçi.
Tutje, Thaçi foli edhe për emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke thënë se ky i fundit duhet ta njohë Kosovën si shtet i pavarur dhe ta sjellë liberalizimin e vizave.
“Nuk jam i gatshëm të humb kohë në diskutime të kota me Lajçakun. Ai duhet ta vizitojë Kosovën si shtet i pavarur. Ne duhet të punojmë me Bashkimin Evropian. Pra, lajmi Lajçak duhet ta sjellë lajmin për liberalizimin e vizave. Lajçak duhet të jetë shumë i qartë para ardhjes në Kosovë dhe vizitës në Serbi. Çdo ardhje e tij në Kosovë pa plan konkret, do të jetë një fiasko në dëm të tij. Nëse ai Kosovën e trajton si vend të pavarur, unë do t’i marrë përgjegjësitë e mia. Por, nëse ai Kosovën nuk e trajton si vend i pavarun, unë kam rezervat e mia. Ne duhet ta dijmë pse po takohemi fillimisht”, thotë Thaçi në Klan Kosovë.
“Bashkimi Evropian duhet ta ndryshojë qëndirmin e vet në raport me Kosovën”, shtoi Thaçi.