Deponitë ilegale të mbeturinave janë shtrirë në disa rrugë të qytetit e fshatrave të Deçanit duke i shtuar problemeve me ndotjen e mjedisit dhe pakënaqësinë e qytetarëve.
Grumbujt e mbeturinave janë koncentruar sidomos në rrugë të pa banuara si “Agim Mazreku”, “Zenel Stojkaj” si dhe rrugën dytësore që të dërgon në Lumbardhin e Deçanit.
Por, rrugë të mbushura me mbeturina ka dhe në fshatin Rastaticë të kësaj komune.
Selim Lokaj, banor i zonës ka thënë që kanë bërë kërkesa në komunë për pastrimin e këtyre hapësirave por thotë se nuk ka pasur rezultat.
“Prej që jemi vendosu këtu kërkesat nuk kanë munguar, mirëpo mbeturinat në pjesën e sipërme ka mbeturina të jashtëzakonshme sa që është edhe turp me i pa me sy”, tha ai.
Zyra për Informim në Deçan ka deklaruar se komuna ka identifikuar 21 deponi të mbeturinave dhe se do të bëjë pastrimin e tyre.
“Në komunën e Deçanit gjenden 21 deponi, deponi të cilat do të eliminohen deri në fund të vitit 2020. Pastrimi i të gjitha hapësirave ku janë identifikuar si grumbuj të mbeturinave apo deponi do të pastrohen për një periudhë të shkurtër kohore”, thuhet në përgjigjen e Komunës.
Ndërkaq Ndërmarrja Publike “Higjiena” në Deçan ka thënë se kjo kompani nuk është përgjegjëse për pastrimin e këtyre zonave por që në baza vullnetare dhe në bashkpunim me komunën kanë filluar eliminimin e të gjitha deponive.
Zyra për Informim e kësaj ndërmarrjeje ka deklaruar se për krijimin e deponisë të mbeturinave në fshatin Rastavicë nuk janë përgjegjës vetëm banorë e këtij fshati.
“Deponia që ju e keni identifikuar në kryqëzimin për Junik është e identifikuar edhe në planin tone për identifikimin e deponive ilegale, aty zakonisht mbeturinat hedhen edhe nga qytetarët jashtë komunës sonë për shkak se është pjesë që frekuentohet shumë nga gjitha zonat, ju njoftojmë se pastrami i kësaj deponie do të bëhet brenda një kohe shumë te shkurt”, thuhet në përgjigjen e kësaj ndërmarrjeje.