Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov do të vizitojë Serbinë më 18 qershor me qëndrimin e pandryshuar të Rusisë karshi çështjes së Kosovës. Kjo do të jetë vizita e parë e një Ministri të Jashtëm të Rusisë pas pandemisë së koronavirusit.
Lavrov do të qëndrojë në Beograd për dy ditë ku do të takojë homologun e tij serb, Ivica Daçiq si dhe do të ketë takim me Presidentin Aleksander Vuçiq, shkruan Novosti
Lexo Edhe:
Lavrov do të vizitojë Beogradin, “S’ka zgjidhje për Kosovën pa Serbinë”
Diplomati rus në Serbi, Aleksandar Botsan-Kharchenko ka shpjeguar së fundmi qëndrimin e Rusisë sa i përket marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai deklaroi se Rusia do të pajtohet vetëm me zgjidhjen që do të jetë e pranueshme për Serbinë dhe se Moska është e përkushtuar të arrijë një zgjidhje kompromisi që duhet të përputhet me ligjin ndërkombëtar dhe të arrihet në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu, qëndrimi është që një zgjidhje e tillë duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i KB-së.
Ish-ambasadori i Serbisë në Këshillin e Evropës, Zoran Milivojevic ka thënë për Novosti se fakti që Sergei Lavrov po e viziton Serbinë para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 21 qershor flet për kursin e politikës së jashtme që shteti serb mban.
“Kosova me siguri do të diskutohet në takimet me Lavrovin, pasi kjo është një çështje kryesore për ne në periudhën e ardhshme, dhe pas zgjedhjeve, i dërguari i BE-së për dialog me Prishtinën Mirosllav Lajçak do të vijë në Beograd. Unë pres që partneriteti strategjik rus-serb të konfirmohet dhe të ripërsëritet qëndrimi i Moskës se nuk ka zgjidhje për Kosovën pa Serbinë se ajo duhet të bazohet në Rezolutën 1244, dhe se Rusia do të mbështesë një zgjidhje që respekton interesat e Serbisë “.