Mitrovica e Veriut do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi kryetari i kësaj komune, Goran Rakiq, është zgjedhur zv.kryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal, në Qeverinë Hoti. Për këtë çështje janë deklaruar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, raporton Gazeta Express
Goran Rakiq i cili është edhe kryetar i Mitrovicës së Veriut, është zgjedhur sot zv.kryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal, në qeverinë e re.
Si pasojë e kësaj, Mitrovica e Veriut do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Lidhur me këto zgjedhje, zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë për Gazetën Express se do të fillojë puna intensive për mbajtjen e
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për Express se KQZ’ja do të fillojë organizimin e këtyre zgjedhjeve, sapo ato të shpallen.
“Si çdo herë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore, për të organizuar zgjedhjet, kurdo që i kërkohet. Në këtë drejtim, KQZ-ja do të fillojë me punën intensive për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, pasi të shpallen këto zgjedhje”, ka thënë Elezi.
Rakiq është zgjedhur kryetar i Mitrovicës së Veriut në zgjedhjet e jashtëzakonshme në maj të vitit të kaluar.
Këto zgjedhje kanë pasuar dorëheqjet e kryetarëve të këtyre komunave, më 26 nëntor të vitit të kaluar, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës.
Megjithatë, pas dorëheqjes Rakiq kishte kandiduar përsëri për kryetar të Mitrovicës së Veriut, ku edhe kishte fituar zgjedhjet.
Fat të njëjtë si Mitrovica e Veriut kishte edhe Podujeva. Kryetari i kësaj komune, Agim Veliu ishte zgjedhur më 3 shkurt të këtij viti, ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë nuk janë mbajtur ende, për shkak të pandemisë COVID-19