Vendimin e mbrëmshëm të Kushtetueses e ka komentuar edhe deputetja nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.
Ajo vendimin e Kushtetueses e ka quajtur “tradhëti ndaj demokracisë” në Kosovë.
Madje ka shkuar edhe më tutje duke thënë se janë tregtuar votat për rrëzimin e qeverisë, dhe se kjo u legjitimua nga Kushtetuesja.
“Këtyre të cilëve sot mund të ju duket se kanë fituar, shumë jetëshkurtër e kanë këtë fitore, por turpin dhe tradhëtinë e besimit të qytetarëvë e kanë të garantuar dhe të përjetshëm”, ka shkruajtur Kusari-Lila.
Postimi i plotë:
Mbrëmë u tradhëtua demokracia Kosovare, edhe një herë!
Në mes të luftës me pandeminë globale, partitë politike parlamentare në Kosovë tradhëtuan besimin e qytetarëve dhe rrëzuan Qeverinë e Kosovës me votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit.
Besimi i qytetarëve për një Qeveri ndryshe, për qeveri të shpresës, u tregtua përmes negociatave politike për poste e pushtet për ata që nuk e fituan këtë besim përmes procesit zgjedhor.
Ky tregtim i votës së lirë dhe besimit të qytetarëve i sponzorizuar dhe administruar nga Presidenti i vendit, mbrëmë u legjitimua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ana e errët e këtij procesi është lehtësia e manipulimit të zingjirit institucional për skenarë të dëmshëm për demokracinë dhe të ardhmen e vendit.
Ana e ndritshme e këtij procesi është identifikimi i të gjithë akterëve të cilët lehtësisht bëhen marioneta të manipulimit, duke harruar peshën e përgjegjësisë dhe historisë që do ta mbajnë përgjithmonë si njollë në karrierën e tyre politike dhe profesionale.
Kosova është vend i lirë. Qytetarët e saj janë të lirë dhe me mendim të qartë se si e duan jetën dhe shtetin e tyre.
Këtyre të cilëve sot mund të ju duket se kanë fituar, shumë jetëshkurtër e kanë këtë fitore, por turpin dhe tradhëtinë e besimit të qytetarëvë e kanë të garantuar dhe të përjetshëm.