Lëvizja Vetëvendosje iu është drejtuar me kërkesë Policisë së Kosovës për tubimin e nesërm në shesh të Prishtinës, ku kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë deri në 5 mijë persona.
Nga PK’ja kanë konfirmuar për Gazetën Express se kanë pranuar kërkesën nga partia që udhëhiqet nga Albin Kurti.
Në Policinë e Kosovës thonë se do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet për menaxhim të situatës për të garantuar qetësinë publike.
“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor, siç është lajmëruar edhe kjo performancë/tubim”, kanë deklaruar nga policia.
Nga ky institucion thonë se do të ndërmarrin të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe vendimeve të institucioneve kompetente për menaxhimin e situatës në këtë kohë të pandemisë COVID-19, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet, masat dhe kufizimet e parapara ndaj pandemisë.
Tubimi do të nisë nesër në sheshin “Skënderbeu”, “Ibrahim Rugova” dhe “Ademi Jashari”, nga ora 17:00 deri në orën 19:00, ndërkaq, përgatitjet teknike nisin në orën 16:00.
Se nesër do të mblidhen në shesh e kanë konfirmuar sot gjatë ditës edhe nga LVV’ja.