Mbi 50 plumba janë shkrepur mbrëmë pas orës 02:00 të mesnatës në Banjë të Istogut.
Cak i plumbave ka qenë një antenë e Ipkos në këtë komunë. Të lënduar nuk ka.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Sot në mëngjes rreth orës 02:00 pas mesnatës ka pasur të shtëna me armë zjarri në antenën e Ipkos, jo në Spitalin privat Onix. Rastin e ka raportuar një punëtor i Ipkos në 05:10 në mëngjes.
Rastit i janë përgjigjur të gjitha njësitë kompetente dhe njësiti hetues i stacionit janë duke u marrë me rastin. Të lënduar nuk ka.
Një numër bukur i madh i shtënave janë shtënë në drejtim të antenës së Ipkos, diku 50 apo 51 plumba”, ka thënë Gashi për Insajderi.
Gashi ka thënë se deri tani ende nuk ka të arrestuar, derisa ka shtuar se janë duke punuar në lidhje me zbardhjen e rastit.
“Deri tani nuk ka të dyshuar, as të arrestuar. Pas konsultimit me prokurorin e shtetit rasti është klasifikuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, është duke u punuar në zbardhjen e rastit”, ka deklaruar ai.