Një grup qytetarësh përmes një organizimi në Facebook, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre duke kërkuar hapjen e xhamive, në mënyrë që të bëhet falja e namazit.
Sipas eventit të krijuar në “Facebook” sot do të bëhet falja e namazit të ikindisë nga ora 16:30 deri 17:30 në sheshin “Skëndërbe”, shkruan Reporteri.
“Në shenjë pakënaqësie për mos hapjen e dyerve të xhamive edhe pas fillimit të fazës së dytë të masave lehtësuese nga qeveria, një grup qytetarësh i jemi drejtuar me një kërkesë organeve gjegjëse për hapjen e xhamive dhe kryerjen e namazit me disa kushtëzime konform situatës epidemiologjike”, thuhet në njoftimin e grupit ‘Falu n’shesh’.
“Në mënyrë të organizuar do të falim namazin e ikindisë në sheshin “Skënderbeu”, dhe në mënyrë demonstrative do të tregojmë mundësinë e kryerjes së namazit pa e rrezikuar fare shëndetin publik”, thuhet tutje.
Mirëpo, u.d. së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kritikuar këtë organizim duke thënë se bëhet kundër rregullave të IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Ai madje, ka akuzuar profesorin universitar Milazim Krasniqi për nxitjen e këtij organizimi.
“Jam informuar se sot pasdite, një grup “qytetarësh anonimë” po nxit organizimin e një proteste që është kundër vendimeve të MSh-së të marra sipas rekomandimeve të IKSHP-së, dhe në dakordim të plotë me Bashkësinë Islame të Kosovës.
Kemi gjithashtu informacione se pas këtyre organizimeve qëndron publicisti Milazim Krasniqi.
I ftoj të gjithë qytetarët të tregojnë maturinë dhe vullnetin e plotë për të mos rënë viktimë e politizimit të riteve fetare”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se pak ditë më parë rreth 500 persona kishin protestuar në shesh për të kërkuar zgjedhje të reja.