Mijëra gjermanë kanë dalë në rrugë të shtunën për të protestuar kundër masave të caktuara nga qeveria për të parandaluar shpërndarjen e koronavirusit, sipas policisë dhe organizatorëve.
Numri i vdekjeve në Gjermani ka qenë më i ulët se fqinjët evropianë dhe disa masa të izolimit tashmë janë relaksuar, raporton “Reuters”. Gjithsesi, protestat kundër masave, për të cilat kancelarja Angela Merkel insiston se janë të domosdoshme për të ngadalësuar shpërndarjen e virusit, janë bërë më të zëshme dhe demonstruesit kanë mbushur rrugët për të dytën fundjavë rresht.
Të përqeshur si “covidiotë”, që rrezikojnë shkaktimin e një vale të dytë të infektimeve që mund të çojë në rishtrëngim të masave, protestuesit u shpërndanë në disa lokacione në Berlin.
Në Shtutgart, ku shumë protestues fundjavën e shkuar kishin shkelur rregullat e distancimit social dhe s’kishin mbajtur maska, policia ka pritur një protestë prej rreth 5000 personash.
Në Munih, organizatorët kanë kërkuar nga autoritetet të lejojnë grumbullimin e 10-mijë qytetarëve në sheshin më të madh, Thersienwiese, aty ku mbahet festivali i birrës “Oktoberfest”. Por zyrtarët kishin kërkuar respektimin e masës për distancim social dhe kishin lejuar grumbullim vetëm deri në një mijë persona.
Protesta po organizohet nga disa grupe. Një nga grupet është “Rezistenca 2020”, i udhëhequr nga një avokat nga Leipzigu dhe një doktor nga jugperëndimi i Gjermanisë që ka vënë në pikëpyetje të dhënat zyrtare për koronavirusin. Një tjetër është grupi i quajtur “Compact”, që e përshkruan veten si “shpata e mprehtë kundër propagandës perandorake”. Mediat në Gjermani kanë raportuar se Rusia mund të jetë prapa kampanjës dezinformuese që po nxit protestuesit.
Deri tani në Gjermani janë më shumë se 173 mijë të infektuar e rreth 8 mijë të vdekur.