Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ka thënë se qeveria e re do të formohej 24 orë pasi që Gjykata Kushtetutese të vendosë në favor të dekretit të Presidentit Thaçi. Dekreti i Presidentit me të cilin ka mandatuar Avduallah Hotin për Kryeministër tani është në shqyrtim e sipër nga Gjykata Kushtetuese, e cila nga data 1 maj, ka pezulluar të njëjtin për të marrë vendimin përfundimtar deri më 29 maj 2020.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese do ta respektojnë.
Por ai ka theksuar se kurdo që vendimi i Gjykatës Kushtetuese merret, Kosova do të ketë qeverinë e re pas 24 orëve.
“Kurdo që gjykata e sjellë vendimin 24 orë janë të mjaftueshme që të kemi institucione të reja ekzekutive” ka thënë ai në një intervistë për EO.
Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës janë shprehur pro një qeverie të re, ndërsa këtë e ka kundërshtuar vetëm Lëvizja
Vetëvendosje e cila ka kërkuar shpërndarjen e Kuvendit pas rrëzimit të qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Zyrtarë të VV’së janë shprehur se do të ketë edhe protesta nëse vendi nuk shkon në zgjedhje.
Ditën e djeshme në sheshin kryesor të Prishtinës, rreth 400 persona janë mbledhur përkundër masave të Ministrisë së Shëndetësisë për pandeminë dhe kanë zhvilluar një provë për protestë, e cila është përkrahur nga zyrtarë qeverisë në detyrë dhe nga Lëvizja Vetëvendosje.
Lidhja Demokratike e Kosovës pas mocionit të mosbesimit ndaj partnerit qeverisës, Vetëvendosjes u largua nga koalicioni dhe vendosi që të bëjë koalicion me partitë opozitare AAK’në, Nismën dhe AKR’në.
LDK’ja mori aprovimin e Këshillit të Përgjithshëm të partisë me shumicë votash pro një koalicioni me partitë që udhëhiqen nga Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli.
Kryesia e kësaj partie pas diskutimeve vendosi që Avdullah Hoti të jetë i nominuari i tyre për mandatar për Kryeministër kur Presidenti Thaçi të kërkojë emrin nga LDK’ja.
Propozimi i kryesisë së LDK’së u miratua me shumicë votash nga Këshilli i Përgjithshëm.
Pas nënshkrimit të koalicionit mes LDK’së, AAK’së dhe Nismës Socialdemokrate, kreu i LDK’së, Isa Mustafa i ka dërguar letër, Presidentit Thaçi duke i konfirmuar se ka siguruar një shumicë të re parlamentare për qeverinë e re.
Më 30 prill, Presidenti Thaçi dekretoi Avdullah Hotin si mandatar për të krijuar qeverinë e re, të njëjtën ditë, Grupi Parlamentar i VV’së dërgoi në Gjykatën Kushtetuese dekretin e Thaçit, duke e thënë se me këtë ai ka shkelur kushtetutën duke mandatuar partinë e dytë për të krijuar qeverinë.
Të nesërmen, Gjykata Kushtetuese vendosi që të pezullojë dekretin e Presidentit për të mandatuar Avduallah Hotin për kryeministër deri më 29 maj, kur edhe pritet të merret vendimi final mbi kushtetuetshmërinë e dekretit të Thaçi për krijimin e një qeverie të re.