Vjosa Osmani, në kundërshtim me kursin e vendimet e LDK’së po vazhdon aktivitetet e saj politike. Kohëve të fundit ajo është duke munguar në aktivitete partiake edhe pse aty mban pozitën e nënkryetares, përderisa nuk i ka ndalë paraqitjet publike me Albin Kurtin, që nuk kanë qenë të pakëta kohëve të fundit. Në LDK duket se është sosur durimi ndaj saj.
Derisa për Osmanin kishte deri diku konsideratë si “mendim ndryshe” në parti, tash Isa Mustafa thotë se ajo nuk po e respekton strukturën që i takon. Gazeta Express ka kontaktur dy analistë të cilët kanë folur për raportet e Osmanit me partinë dhe të ardhmen e saj politike.
Që nga rrëzimi i Qeverisë, kryeparlamentarja Vjosa Osmani e ka kundërshtuar secilin hap të LDK’së, e cila dy muajt e fundit është angazhuar për formimin e një Qeverie me kryeministër të vet.
Osmani që ka dalë kundër rrëzimit të Kurtit, kundër përpjekjeve të LDK’së për ta formuar Qeverinë që do ta udhëhiqte Avdullah Hoti dhe kundër koalicionit me partitë e PAN’it, ka vazhduar aktivitetet në shoqëri me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin. Së fundmi ajo ka bërë homazhe të shtatorja e njërit prej themeluesve të LDK’së, Fehmi Aganit, në përvjetorin e vrasjes së tij.
Po ashtu kryeparlamentarja Osmani në Gjykatën Kushtetuese ka dorëzuar komente, me të cilat ajo sipas njoftimeve të disa mediave ajo kundërshton mandatimin e Avdullah Hotit të LDK’së për kryeministër dhe në këtë mënyrë ka përkrahur ankesën e LVV’së në Kushtetuese lidhur me çështjen e dekretit presidencial.
Intensifikimi i qëndrimeve të Osmanit kundër veprimeve të LDK’së ka bërë që Mustafa të mos japë më deklarata neutrale ndaj nënkryetares së partisë.
Në intervistën e tij të fundit Mustafa ka thënë se Osmani ka shprehur mosrespekt ndaj partisë dhe se i ka marrë votat e LDK’së.
“Nëse dikush i ka marrë votat e LDK-së dhe është lartë më vota të LDK-së, atëherë lartë duhet ta respektojë LDK-në dhe duhet ta respektojë organizatën të cilës i takon.
Po dua të them sepse vetë fakti që ajo ka dalë kundër mocionit të mosbesimit për të cilin ka qenë shumica dërrmuese në LDK dhe ka dalë kundër formimit të qeverisë së LDK-së në krye me kreun e saj, do të thotë është mosrespekt ndaj organizatës së vet. Prandaj nuk është vota që ty të jep fuqi që të mos ta respektosh partinë tënde por është vota ta çosh partinë tënde duke respektuar”, ka thënë tutje Mustafa.
Analisti Imer Mushkolaj beson se LDK’ja nuk do të fitonte votat që i ka marrë në zgjedhjet e fundit, po të mos ishte Osmani kandidate për kryeministre.
“Pa Osmanin kandidate për kryeministre, LDK nuk do të fitonte numrin e votave që ka fituar më 6 tetor. Pavarësisht përpjekjeve të kreut të partisë për të amortizuar rëndësinë e votës së secilit votues në krijimin e qeverisë, njerëzit e kanë votuar Osmanin dhe LDK-në për shkak të premtimit se do të bëjë koalicion me VV-në. Pra, në njëfarë forme, e kanë dizajnuar qeverinë e ardhshme”, ka thënë Mushkolaj në një prononcim për Gazetën Express.
Politologu Fitim Salihu, thotë se raportet e Osmanit me partinë dëshmojnë që tensioni i përhershëm mes palëve është gjithmonë aty.
Sipas Salihut, Osmani ka marrë përkrahjen e votuesit të LDK’së, por thekson se këto vota ajo i ka marrë si bartëse e listës së kësaj partie.
“LDK-në mund ta kritikojmë për shumë gjëra, por ajo ka dëshmuar se nuk është parti përjashtuese ndaj zërave alternativë brenda saj. Në anën tjetër, Vjosa Osmani rrezikon ta alienojë veten nga votuesi i LDK-së, i cili pa dyshim që e ka përkrahur, por vetëm si bartëse të listës së LDK-së”, ka thënë Salihu për Gazetën Express.
Por, cila është e ardhmja politike e Vjosa Osmanit?
Salihu thotë se Osmani, duke mos i fituar zgjedhjet, është një nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe LDK-ja mund të zgjedhë dikë tjetër për kandiidat për kryeministër, pa hatërmbetje të Osmanit apo përkrahësve të saj. Sipas politologut, nënkryetarja e LDK’së i mbetet të vazhdojë karrierën e saj politike në tentim të reformimit të partisë.
“Vjosa Osmani ka qenë kandidate e LDK-së për kryeministre për zgjedhjet e 6 tetorit. Por, ajo – sikurse të gjithë kandidatët e tjerë pos Albin Kurtit – i ka humbur zgjedhjet. Pas 7 tetorit ajo është një nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës sepse nuk ka kandidatë të përjetshëm për kryeministër. Për rrjedhojë, është e kuptueshme që partia mund ta nominojë dikë tjetër për kryeministër dhe këtu Vjosa Osmani dhe simpatizantët e saj nuk kanë arsye të hidhërohen.
Vjosa Osmani mund ta vazhdojë luftën e saj për reformimin e partisë dhe këtu shpreh simpatinë time me këtë rrugëtim të saj, sikurse kam përkrahur edhe lëvizjet reformatore në partitë e tjera më parë. Por, dyshoj se ajo do t’ia dalë ta reformojë dhe ta rrit LDK-në me qasjen e saj të deritanishme”, ka thënë Salihu.
Sipas analistit Imer Mushkolaj, Vjosa Osmani do të qëndrojë në LDK pavarësisht dallimt, sipas tij, diametralisht të kundërta që i ka ajo me figurat e tjera të larta të partisë dhe me qëndrimin e partisë në përgjithësi.
“Osmani duket ka vendosur të qëndrojë në LDK, ndonëse e ka mjaft vështirë. Mbetet të shihet cila do të jetë qasja e LDK-së karshi pozitës së saj si kryeparlamentare dhe mundësisë që të respektohet statuti partiak, që do të nënkuptonte përjashtimin e saj nga partia”, ka thënë Mushkolaj.
Vjosa Osmani, deklarimet e fundit të saj rreth zhvillimeve në vend i ka dhënë në Kuvend. Ajo aty është përplasur me deputetë të LDK’së, përfshirë Arben Gashin e Driton Selmanajn.
Nga ana tjetër, ajo është kthyer në figurën e pëlqyer të LVV’së në LDK.