Zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi i ka reaguar anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshin, për një shkrim të deputetit të VV-së ku e ndërlidhte Isa Mustafën me vdekjen në burg të Astrit Deharit tri vite më parë.
Nushi i ka thënë Kurteshit, në një reagim në Facebook, se duhet të tketë turp nga shkrimi i tij.
“Qysh nuk të vjen turp Sami Kurteshi? Qysh ju del përpara prindërve të Astritit të cilët i ke miq shpie!? A të zë gjumi natën kur atë që po e akuzon për vrasës të Astritit, e lutshe për partneritet qe 1 vit!? Zvarranik pakurrizor”, ka shkruar Nushi.
Ndërkaq, Kurteshi e ka quajtur Nushin “tradhtar të neveritshëm”.
“E kam vërejtur se je tradhëtar i neveritshëm, por se të mundon edhe diçka më shumë se kjo, nuk e paskam ditë. Askush nuk të ka faj që nuk bën gjumë të rehatshëm. Për keqardhje! Dhe si i tillë nuk meriton të komunikohet me ty”, i është kundërpërgjigjur Kurteshi – Nushit.
Disa orë pas dështimit të negociatave mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtari i LVV-së, Sami Kurteshi, ia ka përmendur kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës, vdekjen e aktivistit të Lëvizjes, Astrit Dehari.
Kurteshi, përmes një shkrimi në Facebook, ka shtruar pyetjen: “Kush e vrau Astrit Deharin”, në tre vjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka përmendur kryetarin aktual të LDK-së, asokohe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, të përfshirë “urdhrin e pushtetit politik-policor”, që sipas tij, arrestoi gjashtë aktivistë të VV-së.
“Sot, më 30 gusht, mbushen tre vjet qëkur me urdhër të pushtetit politik-policor të udhëhequr nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Kadri Veseli, nën akuzën për terrorizëm, u arrestuan 6 aktiviste/ë të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Kurteshi, në një shkrim të publikuar në Facebook.
Kurteshi ka thënë se “klani politiko-policor”, në të cilin e ka Isa Mustafën, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, kanë ndërmarrë veprime kriminale që, sipas tij, e kanë çuar Deharin në qendrën e paraburgimit në Prizren, ku kishte ndërruar jetë më 30 gusht të 2016-s.
“Pas të gjitha veprimeve kriminale dhe gjykimit-farsë të organizuar nga klani kriminal politiko-policor, i udhëhequr nga Beqir Kalludra, tani e një vit e gjysmë, që nga fundmarsi i vitit 2018, ka pushuar çdo veprim gjyqësor në rastin e “sulmit terrorist në ndërtesën e Kuvendit”. Vetëm heshtje kriminale”, ka deklaruar Kurteshi.