Albin Kurti ka humbur të gjitha betejat ligjore nga pozicioni i Kryeministrit. Përkundër se Gjykata Kushtetuese dhe mekanizma tjerë, edhe ndërkombëtarë ia kanë “zhvleftësuar” vendimet e Qeverisë së tij, ai ka insistuar se ka të drejtë. Ka akuzuar me një letër edhe Kushtetuesen. E gjithë kjo, është parë edhe si një krizë profesionale në ekipin e tij të këshilltarëve, shkruan Reporteri.
Më shumë pompozitet doli në konferencë për shtyp për të thënë se ka gjetur një në Qeveri një marrëveshje sekrete të ish kryeministrit Hashim Thaçi me Sekretarin e atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Në këtë marrëveshje Thaçi zotohej se Forca e Sigurisë së Kosovës do të nuk do të hyjë në veriun e banuar me shumicë serbe “pa një pajtim paraprak” të forcave paqeruajtëse të NATO-s.
Kurti e prezantoi si një shkelje të Kushtetutës. Por gjithçka ju demantua gjatë ditës, shkruan Reporteri.net.
Doli se marrëveshja nuk ishte as sekrete dhe as nuk përbente ndonjë marrëveshje ndërkombëtare, që do të mund të përbente shkelje ligjore. Ishte një zotim që e kishin nënshkruar më pas edhe kryeministrat tjerë, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj. Ky veprim i Kurtit, ndonëse u pa edhe si një veprim politik, u pa edhe si një defekt profesional në kabinetin e tij sa i përket ekspertizës ligjore. Krejt kjo ndodhi në muajin shkurt, pak ditë pasi ishte bërë kryeministër.
Kur Albin Kurti u shkarkua në Kuvend, nga 84 deputetë, nisën betejat kushtetuese të tij. Ai refuzoi që ‘kufizimin e lëvizjes’ ta bënte me një ligj nga Kuvendi apo me ndonjë vendim nga Kuvendi për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme. Kësisoj, Qeveria e tij mori vendime vetë për kufizim të lëvizjes.
Rivali i tij politik, Hashim Thaçi, e dërgoi lëndën në Gjykatë Kushtetuese.
Ky institucion i cilësoi si shkelje të Kushtetutës vendimet e Qeverisë. Një tjetër betejë ligjore e humbur e Kurtit dhe ekipit të tij të këshilltarëve.
Ani pse Gjykata Kushtetuese i tha se për masa të tilla kufizuese të te drejtave qytetare duhet vendosur Kuvendit, ai sërish vendosi ndryshe. Kompetencat për masat kufizuese në pandemi ia delegoi Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Vendimet e Vitisë për futjen në karantinë të komunave u bazuan në Ligjin për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse.
Por edhe këto vendime u kontestuan në Gjykatë Kushtetuese dhe sërish u konstatua shkelja. Një tjetër betejë ligjore që Qeveria Kurti e humbi.
Duke parë gjithë këto konstatime nga Kushtetuesja, Kryeministri Kurti i shkroi asaj më 23 Prill duke e akuzuar për shkelje ligjore, jo profesionalizëm dhe anim. Një letër e tillë, që për herë të parë e publikoi Reporteri, bëri bujë dhe u cilësia si sulm ndaj Gjykatës.
Kjo e fundit ktheu përgjigje duke e quajtur të papranueshme gjuhën e përdorur dhe si tendencë për të mos e respektuar pavarësinë e saj si institucioni më i lartë për ta interpretuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend. Për këtë letër reaguan edhe shumë akterë politikë e të shoqërisë civile.
Ndërkohë, një betejë e re ligjore po e pret Albin Kurtin si Kryeministër, shkruan Reporteri.
Ai ka kontestuar Dekretin e Presidenti Thaçi për ta mandatuar Avdullah Hotin për Kryeministër. Pak fitore shënoi kreu i VV-së, meqë Gjykata e pezulloi procesin deri më 29 Maj. Në kërkesën e tij, ai u kritikua edhe se citoi Kushtetutën e Serbisë.
Megjithatë, Kurti tha se ky nuk është vend final dhe nuk duhet entuziazëm. Derisa Gjykata Kushtetuese po merret me vendimin final për dekretin e Thaçit, kryeministri në detyrë e dërgoi lëndën për një opinion në Komisionin e Venecias.
Ky institucion i ktheu përgjigje negative sot duke thënë se lënda nuk ka bazë për t’u trajtuar, dhe madje shtoi se po të ndërhynte do ta dëmtonte autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Edhe kjo u cilësia një amatorizëm në fushën legjislative e kushtetuese për Kurtin dhe ekipin e tij të këshilltarëve.
Beteja e fundit ligjore e tij do të pritet deri më 29 Maj. Nëse edhe atë humb, ai do të humbas edhe mundësinë që ta ndalojë me ligj një Qeveri të LDK-së.