Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar dje në Gjykatën Kushtetuese ankesën e saj për dekretimin e presidentit Thaçi që ia bëri Avdullah Hotit si kandidat për kryeministër.
Kjo parti ka zgjedhur që të arsyetojë kërkesën e saj për pezullim të vendimit të presidentit për dekretim të mandatarit, duke iu referuar një neni të Kushtetutës së Serbisë. Serbia në aktin kryesor juridik, Kosovës iu referohet si pjesë përbërëse të territorit të saj.
Në këtë nen që citon Vetëvendosje, saktësisht neni 130 thuhet se nëse parlamenti rrëzon qeverinë me anë të mocionit, atëherë presidenti duhet të zgjedhë qeverinë e re. Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë shpallen zgjedhjet e reja.
E Kushtetuta, të cilës i është referuar partia e Kurtit, Kosovën e paraqet si pjesë të Serbisë, në nenin 182.
“Provincat autonome janë bashkësi territoriale autonome të përcaktuara me Kushtetutë, në të cilat qytetarët ushtrojnë të drejtën e autonomisë krahinore. Në Republikën e Serbisë, ekzistojnë Krahina Autonome e Vojvodinës dhe Provinca Autonome e Kosovës dhe Metohija.
Autonomia thelbësore e krahinës autonome të Kosovës dhe Metohisë rregullohet me ligj të veçantë i cili do të miratohet në përputhje me procedurat e parashikuara për ndryshimin e Kushtetutës.
Provinca të reja autonome mund të krijohen, dhe ato të krijuara tashmë mund të revokohen ose bashkohen pas procedurave të parashikuara për ndryshimin e Kushtetutës. Propozimi për krijimin e ri, ose revokimin ose bashkimin e provincave autonome ekzistuese vendoset nga qytetarët në një referendum, në përputhje me Ligjin.
Territori i provincave autonome dhe kushtet nën të cilat mund të ndryshohen kufijtë midis provincave autonome rregullohen me ligj. Territori i provincave autonome nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e qytetarëve të tij të dhënë në një referendum, në përputhje me Ligjin”, thuhet saktësisht në nenin 182 të Kushtetutës së Serbisë.
Kujtojmë se VV-ja ka dorëzuar dje kërkesë 54 faqëshe në Gjykatën Kushtetuese, ku argumentohet se mandatari për kryeministër nga LDK-ja, është jokushtetues.