Presidenti Thaçi, i shoqëruar nga zyrtari i PDK’së, Sami Lushtaku, ka bërë homazhe në komplesin memorial në Marinë të Skenderajt. Ka folur rreth cështjes së amnistimit të krimeve, e nuk ka vazhduar më deklaratat e tij për Vetëvendosjen e kryeministrin Kurti.
Thaçi në një deklaratë për median që e përcolli aktivitetin e tij, foli për viktimat shqiptare të luftës së fundit në Kosovë, duke thënë se askush nuk mund ta amnistojë gjenocidin e kryer nga Serbia.
“Është bërë e qartë në nivel lokal dhe botëror se Serbia ka kryer gjenocid, ka kryer spastrim etnik. Për fat të keq, heshtja ndërkombëtare, ka krijuar një lloj amnistie për gjenocidin e kryer në Kosovë, por nuk ka kohë, faktor dhe rrethanë që e amniston krimin dhe gjenocidin e kryer në Kosovë”, ka thënë Thaci.
Ai nuk foli rreth zhvillimeve të mbrëmshme mes tij dhe shefit të Qeverisë në detyrë, Albin Kurtit e Vetëvendosjes, të cilën Presidenti Thaçi e quajti mbrëmë ndërmarrje kriminale.