Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka njoftuar se këshilltari i tij dhe drejtori për komunitete në kuadër të zyrës së kryeministrit, Nenad Rashiq, ka dhënë dorëheqje nga funksionet e tij pas aktakuzës së ngritur.
Aktakuza ishte ngritur nga Prokuroria Speciale për punën e Rashiqit në Komitetin Qeveritar për Privatizim.
“Me datën 2 prill kam emëruar këshilltar politik dhe drejtor për komunitetet z. Rashiq, i cili është edhe kryetar, e njihemi prej shumë vitesh.
Njihemi edhe gjatë takimeve të shumta që kemi pasur prej takimeve të shumta në funksione të ndryshme.
Gjithmonë e kam çmuar për korrektsinë e tij për profesionalizmin e vendosmërinë e tij dhe i bindur se ka dhënë kontribut për Kosovën, por edhe për të gjithë qytetarët pata vendosur ta emëroj këshilltar politik.
Mirëpo ende pa u bërë dy javë prej emërimit atij iu ngrit një aktakuzë nga prokuroria speciale dhe në këtë mënyrë u cënuar funksioni që ushtronte. Besoj në pafajsinë e tij. Bëhet fjalë për procese që janë të vjetra sikurse regjimi i vjetër dhe gjithashtu bëhet fjalë për aktakuza për të cilët krerët e cështjes nuk ndodhen në aktakuzat që ngritën.
Gjithmonë kemi persona që kanë qenë aty në rrethin e tretë dhe të katërt. Prandaj si zakonisht me këto aktauzat e regjimit të vjetër të shteit të kapur të Kosovës është më mirë të shihet se cilët emra mungojnë.
Z. Nenad Rashiq ma ka dorëzuar dorëheqjen nga pozita e këshilltarit të tij politik dhe drejtorit për komunitete në kuadër të zyrës së kryeministër”, ka thënë Kurti.