Viti i ri shkollor 2019/2020 duket se nuk do të fillojë me kohë. Kjo pasi që është paralajmëruar që do të ketë greva. Mirëpo për dallim nga greva e kaluar ku u realizua për shkak të mësimdhënësve, kësaj radhe greva do të bëhet për arsye të tjera.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se arsyeja e grevës kësaj radhe do të jetë mbyllja e shkollave në komunën e Kamenicës, gjë të cilën e ka deklaruar kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati.
“Problemi që e ka ngritur pa arsye kryetari Qëndron Kastrati në komunën e Kamenicës që në emër të reformave për mbylljen e shkollave, dhe ne jemi kundër mbylljes së shkollave sepse nuk është zgjidhje kjo. Nëse kryetari nuk tërhiqet nga vendimi, Kamenica do të fillojë me greva, dhe për këtë besoj që edhe komunat tjera pastaj do të solidarizohen me kolegët e tyre në Kamenicë”, ka thënë Jasharaj.
Sipas tij, fillimisht greva do të fillojë në Kamenicë e që më pas mund të përshkallëzohet edhe në nivel vendi.
“Pra nëse ndodh kështu në Kamenicë, në shtator do të ketë greva. Fillimisht grevë do të ketë në Kamenicë për këtë shkak. Por, do të përshkallëzohet në shenjë solidaritet me kolegët në Kamenicë, edhe në komunat tjera mund të ketë greva, qofshin ato me orë ose do të ketë grevë edhe në nivel vendi”, është shprehur ai.
Ndër të tjera Jasharaj ka thënë se Kamenica do të duhej që të planifikonte me kohë çështjen e shkollave.
“Komuna e Kamenicës është dashur të bëjë planifikim me kohë, dhe ne nuk lejojmë të mbyllen shkollat pa asnjë arsye. Po të ndodhte në nivel vendi atëherë institucionet e shtetit do të dinin çfarë të bënin dhe do të komunikonin me SBASHK-unë në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje, sepse janë në pyetje nxënësit, shkollat e të cilëve mbyllen me arsimtarët. Po them është një angazhim i mundshëm aq ma tepër kur ajo quhet reformë, mirëpo kjo nuk është reformë por mbyllje shkollave”, ka theksuar ai.
Kujtojmë se kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka paraparë që nga shtatori, nxënësit e kësaj komune nuk do të ndajnë më klasën vetëm me mësuesin, apo me dy-tre shokë të tjerë.
“Me reformën të cilën jemi duke e ndërmarrë, klasat e shkollave fillore do të kenë mesatarisht 20 nxënës. Nxënësi i klasës së parë nuk do të dëgjojë më muhabete të adoleshentëve nëpër korridore, por do të ndajë ambientin me moshatarët e vet, ashtu sic e parashohin të gjitha standardet evropiane.”, thuhet në një njoftim të komunës së Kamenicës.
Po sipas këtij njoftimi riorganizimi i shkollave është hulumtuar dhe studiuar dhe konkludimin e gjeni në videon e mëposhtme.
Në bazë të kësaj reforme parashihet që nxënësit do të sistemohen nëpër shkolla përmes transportit të organizuar dhe siguruar nga Komuna. Cikli i ultë (klasët 0-5) do të jetë i ndarë nga cikli i lartë (klasët 6-9) në objekte shkollore të veçanta.
Ndryshe për shkak të këtyre reformave në një diskutim publik, që kishte organizuar komuna në fshatin Hodonoc, ishte sulmuar kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati. Si shenjë pakënaqësie qytetarët e kishin gjuajtur me vezë makinën e kryetarit Kastrati.