Publicisti Veton Surroi në këtë muaj të karantinës pothuajse çdo ditë ka shkruar shkrime në mediumin e tij “Koha Ditore”, ku kryesisht ka mbrojtur kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, duke kritikuar presidentin Thaçi.
Duke u ndërlidhur me kritikat ndaj kryeministrit Kurti, që pranoi një donacion me njëmijë teste kundër Covid-19 nga Serbia, Surroi ka kritikuar të gjithë presidentët dhe kryeministrat e Kosovës që nuk kanë ngritur çështjen e pagjeturve në forme ndërkombëtare.
“Prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës deri më sot, ASNJË president a kryeministër i Kosovës, në ASNJË tryezë negociatore me Serbinë ASNJËHERË nuk ka trajtuar çështjen e të zhdukurve, viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës dhe dëmeve që i ka bërë Republika e Serbisë në Kosovë”, ka shkruar Surroi, raporton Telegramisot.
Por, përfaqësimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Këshillin e Sigurimit përball presidentit serb, Aleksander Vuçiq, në vitin 2018, e demanton këtë pohim të Surroit.
Aty Thaçi për 10 minuta me radhë ia kishte numëruar atij të gjitha krimet që shteti serb ia ka bërë popullit të Kosovës, duke kërkuar drejtësi ndërkombëtare.
“Dihet viktima, dihet agresori. S’ka dhe s’do të ndodhë rishkrim i historisë. Lufta ka ndodhur në shekullin e shkuar. Duhet ta numëroj disa fakte para jush sepse detyrohem. I pëlqeu dikujt apo jo, shteti i Serbisë ka vrarë 13500 civilë shqiptarë. Aparati shtetëror i tyre, formacionet ushtarake, kanë dhunuar rreth 20 mijë gra shqiptare.
13500 civilë shqiptarë të vrarë, asnjë i akuzuar e lëre më i dënuar. As për 20 mijë gratë e dhunuara, asnjë i dënuar. Një milion shqiptarë të dëbuar. 40 për qind e infrastrukturës e shkatërruar. 400 masakra kundër shqiptarëve, asnjë i akuzuar lëre më i dënuar”, kishte thënë ai në OKB.
Duke iu përgjigjur presidentit serb, presidenti i Kosovës kishte thënë se në Izbicë, 160 të vrarë, të moshuar, gra, fëmijë, në Krushë, 250 civilë të vrarë, gra, pleq fëmijë, 64 të pagjetur, askush i akuzuar e i dënuar, 360 në Mejë, asnjë i akuzuar e asnjë i dënuar.
“Studime, Reçak, Rezallë, Obri e masakra të tjera. Theksoj se luftëtarët e Kosovës kanë kaluar nëpër procedura të drejtësisë të misionit të OKB-së, UNMIK-ut, paralelisht me Tribunalin e Hagës, EULEX-it tash e 20 vjet. Kosova duke dashur të tregojë përgjegjësinë e lartë shtetërore, duke besuar në të vërtetën, në drejtësi, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, me BE-në, ka themeluar vet Dhomat e Specializuara, që t’u përgjigjen thirrjeve të tyre. Edhe pse jemi viktima, sot në Kosovë, më tepër ka të dënuar shqiptarë për krime lufte sesa serbë. Në Serbi s’ka asnjë të dënuar për spastrimin etnik e për kryerjen e 400 masakrave në Kosovë. Madje s’ekziston fare zyra për këto çështje”, kishte thënë Thaçi.