Me letrën që i dërguari special i BE-së, Miroslav Lajçak, ia ka dërguar kryeministrit në dorëheqje, Albin Kurti, është ulur pozicioni negociues i Kosovës në gjysmështizë.
Lajçaku nga pozicioni i një lobuesi kundër pavarësisë së Kosovës, në letër mundohet t’ia bëjë një nder kryeministrit dhe Kosovës, duke aplikuar një pozicion të një mohuesi të lehtë të Kosovës.
Për Lajçakun, Kurti është vetëm kryeministër i një Kosove pa Republikë, derisa kryeqytetin e Kosovës e sheh jo si Prishtina, por si Pristina.
Natyrshëm për Lajçakun nuk bëhet fjalë për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por Beograd-Pristina. Nga ky letërkëmbim mund të skicosh fare lehtë përfundimin e këtij procesi, i cili pikënisjen e ka në Rezolutën 1244 dhe jo në deklaratën e pavarësisë së Kosovës.
Me këtë start, me Lajçakun ndërmjetësues, Kosova krejt çfarë mund të fitojë është një proces i gjatë, i mundimshëm, shumë dramë, me të vetmin rezultat – Status Quon. Për ta përkthyer me terma të karantinës – një serial në Netflix me 7 sezone.
Letra e Lajçakut është një dëshmi e rrugës së gjatë që e pret Kosovën për të dalë nga izolimi, nga getoizimi dhe mungesa e mobilitetit social.
Kjo letër është dëshmi se BE-ja nuk ka asnjë plan për zgjidhjen e përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE-ja e përbërë nga 28 shtete anëtare, Kosovën ua ka lënë në duar pesë shteteve mosnjohjes, duke e përmbysur parimin e shumicës.
Ata thjesht janë të interesuar të gjejnë partnerë në Kosovë, që ua sigurojnë dhe fortifikojnë shtangimin ose Status Quon.
Pikërisht qëllimin e kundërt e synon letra e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Në letrën e tij dërguar presidentit Thaçi, presidenti
Trump dialogun e quan një proces ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura, derisa Kosovës ia rikonfirmon Republikën!
Madje, ai shkon edhe më larg.
Bëhet presidenti i parë në botë, që i kërkon Serbisë në mënyrë zyrtare që ta njehë pavarësinë e Kosovës. Duke kushtëzuar Serbinë me njohjen e Kosovës, Trump ndjek kështu rrugën e presidentëve Bush, perciell Telegramisot.com
Në këtë letër, presidenti amerikan shkruan se SHBA-ja synon që të arrijë një marrëveshje që do të sigurojë njohjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai dëshiron të thyejë Status Quon në Ballkanin Perëndimor, duke ofruar një perspektivë të dy shteteve, të cilat tash e sa dekada janë në konflikt.
Por, kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, edhe zyrtarisht e ka zëvendësuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump, me Josep Borrellin dhe ambasadorin Richard Grenell me Miroslav Lajçakun.
Amerikën e ka ndërruar me Spanjën dhe Sllovakinë. Me këtë veprim, Kurti ia hoqi Kosovës ‘Republikën’ dhe Prishtinën e zëvendësoi me ‘Pristina’, derisa dialogun Kosovë – Serbi e zëvendësoi me Beograd-Pristina.
Duke u pozicionuar me Lajçakun, Kurti refuzoi Amerikën për arritjen e një marrëveshje finale, që siguron njohjen nga Serbia, anëtarësimin në NATO dhe OKB.
Kurti ka vendosur për një dialog pa rezultat, në një proces të gjatë, kur ballafaqimi me Vuçiqin do të jetë shumë më i rrallë, sesa me ‘armiqtë’ e brendshëm të Kosovës.
Pra, ka vendosur për një proces të pakushtëzuar, ku Serbia nuk ka nevojë t’i kthej të pagjeturit, as t’i imponohet asaj kërkimfalja dhe as të kthej fondin pensional.
Ka vendosur për një proces ku Amerika është e përjashtuar, por ku të përfshira janë pesë shtetet që nuk e njohin dhe e luftojnë çdo ditë pavarësinë e Kosovës.
Por, në këtë proces, punën më të vështirë do ta ketë Lajçak. Ai së pari duhet ta bindë vetën për të njohur Kosovën, me pas shtetin e tij Sllovakinë, mandej Borrellin dhe shtetin e tij Spanjën bashkë me tri shtetet tjera të BE-së. Kur ta përfundon atë, duhet të bindë edhe Vuçiqin dhe Serbinë.
Në krejt këtë tragjedi ekziston megjithatë një dritë në fund të tunelit. Kryeministri në dorëheqje nuk ka legjitimitet për të shkuar në dialog, sepse është shkarkuar nga 2/3 e Kuvendit të Kosovës.
Këtë mandat duhet ta marrin liderët institucionalë, pasi të zgjedhet edhe kryeministri i ri. Vetëm kështu, pozita negociuese e Kosovës do ngritët nga gjysmështiza!
(Autori është këshilltar politik i presidentit Hashim Thaçi. Qëndrimet e shprehura janë personale)