Autor: Agon Fehmiu
Shkencëtarët e shumë fushave anembanë planetit i kanë bashkuar forcat dhe duke përdorur çasje të shumta të ndryshme shkencore dhe hulumtuese janë në garë për të gjetur shërimin nga korona virusi vdekjeprurës
Specialistët e epidemiologjisë dhe sëmundjeve infektive, mikrobiologë e farmacist, shkencëtarë të dhënave e statistikave (data science) dhe Inteligjencës Artificiale (AI), ekonomistë, politikanë, shkencëtarë e hulumtues të gjitha sferave të mundshme janë duke ofruar njohurit dhe ekspertizën e tyre për të shpjeguar zhvillimet aktuale dhe pasojat që i ka sjell dhe do t’i sjell korona virusi, të gjitha fushave të jetës së njerëzimit.
Këto ditë kur planeti po përballet me përhapjen e furishme të pandemisë së shkaktuar nga virusi i ri korona (novel coronavirus – COVID19) që ka prekur po thuaj çdo shtet dhe territor në të gjitha kontinentet përveç Antarktikut, ekipet e hulumtuesve mjekësor në mbarë botën janë bërë bashkë në garën e furishme dhe dramatike për të gjetur shërimin nga kjo sëmundje vdekjeprurëse.
Qasjet janë të ndryshme duke filluar nga dizajnimi i molekulave të vogla të cilat janë inhibitor (frenues) të proteinave përbrenda virusit, pastaj, duke shfrytëzuar fuqinë natyrore të sistemit mbrojtës (imunitetit) të njeriut duke i nxjerrë antitrupat nga pacientët e shëruar dhe duke i injektuar tek pacientët në gjendje të rëndë dhe kritike, si dhe duke iu ndryshuar përdorimin ilaçeve anti-virale ekzistuese që përdoren për të luftuar sëmundjet tjera infektive.
Lufta dhe gara për të arritur deri tek zbulimi është jetike sepse çmimi është i lartë, do të thotë me dhjeta e qindra mija jetë të shpëtuara.
Në çastin kur po e shkruaj këtë, janë diku rreth 800.000 raste të konfirmuara edhe pse sigurisht numri i të prekurve është dhjetëfish më i madh ndërsa janë 38,721 vdekje të konfirmuara sipas Organizatës Botërore të Shëndetit – OBSH (WHO).
Ajo që po vërejmë nga lajmet po na vijnë nga çdo cep i botës, qoftë përmes medieve apo institucioneve shkencore është se caku i gjithë kësaj pune hulumtuese është koncentruar në dy drejtime, të zhvilloj terapi e cila do të shëroj simptomat dhe do të ndaloj zhvillimin e sëmundjes.
Laboratorët shkencor të shumë disiplinave bio-mjekësore, bio-teknologjike dhe farmaceutike në universitetet më të njohura botërore, klinika apo kompani të mëdha farmaceutike kanë angazhuar tërë potencialin e tyre njerëzor dhe infrastrukturor për të zhvilluar diagnostikim më të mirë, terapitë dhe eventualisht, vaksinën kundër COVID-19.
Kohëve të fundit, shumë terapi të mundshme për shërimin e COVID-19 kanë qenë në fokus të zyrtarëve shëndetësorë dhe politikanëve, në mbarë botën.
Një nga ilaqet më premtuese është ilaçi eksperimental antiviral i quajtur: Remdesivir.
Po them eksperimental dhe jo sikurse e kanë quajtur mjekët dhe specialistët e shëndetësisë në vendin tonë ilaç për COVID-19.
Gjëja më e keqe në këto kohë është dhënia e shpresës së rrejshme popullatës se, ka ilaç për këtë sëmundje kur në fakt NUK KA!
Po të kishte, ai do t’u jepej së pari mjekëve dhe punëtorëve shëndetësor që janë në vijën e parë të frontit të betejës kundër korona virusit dhe të cilët fatkeqësisht kanë filluar të sëmuren dhe të vdesin në numra brengosës. Prandaj, nuk duhet informuar gabimisht popullin por duhet aplikuar masat që e tërë bota po i aplikon për të zvogëluar përhapjen, numrin e të sëmurëve dhe rrjedhimisht, vdekjet.
Ilaçi i vetëm dhe më i mirë për ta luftuar aktualisht përhapjen e sëmundjes është karantina, zvogëlimi i kontakteve apo si po përdoret shprehja e re dhe aktuale “distanca shoqërore” dhe kujdesi maksimal për higjienën personale (larja e duarve si po udhëzohet nga mjekët).
https://www.businessinsider.com/coronavirus-cleaning-advice-your-phone-home-hands-2020-3
Kur jemi tek Remdesiviri, duhet thënë se ky ilaç jepet në mënyrë intravenoze dhe e ç’rregullon mundësin e virusit për t’u shumëzuar (replikuar) përbrenda qelizave
https://qz.com/1822554/how-the-coronavirus-tricks-cells-into-a-full-body-invasion/
Përndryshe, Remdesiviri është zbuluar për të shëruar Ebola-në.
Ilaçet tjera të cilat po përdoren janë ato të cilat janë përdorur për shërimin e malarias si klorokina (chloroquine) dhe hidroksiklorokina (hydroxychloroquine), si dhe kombinimi i dy ilaçeve që përdoren në trajtimin e pacientëve më HIV, Ritonaviri and Lopinavir, qoftë të përshkruara si të vetme apo në kombinim me anti-inflamator.
POR edhe tek përdorimi i anti-inflamatorëve duhet pasur kujdes sepse ka pasur raportime nga institucionet shëndetësore në Francë dhe Austri se gjatë përdorimit të ibuprofenit dhe kortizonit që përdoren për uljen e temperaturës, ka pasur përkeqësime të gjendjes së pacientëve sepse ato kanë zvogëluar përgjigjen e sistemit mbrojtës (imunitar) të organizimit nga sëmundjeve infektive. Andaj është preferuar Paracetamoli apo substanca acetaminophena (Tylenol) sepse e ul temperaturën e lartë duke mos ndikuar në sistemin imunitar.
Këto ilaçet e përmendura si” Remdesiviri, Chloroquine dhe Hydroxychloroquine, si dhe Ritonaviri e Lopinaviri, janë treguar si shpresëdhënëse në testimet fillestare laboratorike me COVID-19 por testimet ende duhet të vazhdojnë dhe nuk mund të thuhet asgjë me siguri për efektin dhe kundër efektin e tyre. Ndërsa , sa i përket efektit të ilaçeve tjera apo edhe recetave të tjera popullore, të gjitha janë aktualisht, thash e thëna.
OBSH ka publikuar javën e kaluar se ka filluar testimet klinike globale për trajtimin me ilaçet e sipërpërmendura.
Po ashtu duhet theksuar se SHBA-të, pavarësisht nga OBSH kanë filluar kërkimet shkencore dhe testimet për efikasitetin dhe sigurinë e përdorimit të Remdesivirit.
Po ashtu, Gilead Sciences, kompania the bio-farmaceutike e cila e zhvilluar këtë ilaç i ka filluar testime dhe hulumtimet laboratorike të saja të pavarura, lidhur me efikasitetin dhe sigurinë e këtij ilaçi ndërsa kompanitë tjera farmaceutike, laboratorët dhe universitetet në mbarë botën po zhvillojnë kërkimet e tyre të pavarura për t’i vërtetuar efektet dhe sigurinë.
Pavarësisht nga gjitha këto tentime dhe metodat e qasjet e ndryshme të studimit, një është e qartë: është ende shumë herët për të ardhur deri tek një përfundim i sigurt.
Të gjithë shkencëtarët një zëri pajtohen se, aktualisht është më së miri që të përcillet puna shkencore e gjithë kësaj armate të shkencëtarëve anembanë botës dhe të lejohet që të dhënat shkencore të jenë udhërrëfyes.
Megjithatë, alarmi i ngritur me shpejtësinë e përhapjes së sëmundjes kërkon edhe veprim tejet urgjent për të gjetur zgjidhjen afat-shkurte, qoftë duke modifikuar ilaçet ekzistuese apo molekulat që zbusin simptomat dhe ulin shkallën e vdekshmërisë përderisa nuk gjendet zgjidhja e përhershme: Vaksina e cila do të mund të distribuohet për të gjithë.
Si po zhvillohet situata, bazuar në përcjelljen e gjitha këtyre hulumtimeve dhe lajmeve, zhvillimi i ilaçeve apo terapive të reja molekulare të reja mund të zgjas më gjatë se zbulimi i vaksinës dhe kjo është shumë vonë prandaj, gjitha këto institucione botërore janë në garë për të gjetur mundësit e trajtimit me ilaçe ekzistuese apo ri-destinimin e tyre
Në SHBA, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë është duke bërë një testim në 50 qendra të ndryshme në mbarë vendin duke tentuar të dëshmojnë nëse ilaçet e përmendura i lehtësojnë simptomat dhe u ndihmojnë pacientëve të prekur nga COVID 19 që të shërohen dhe lëshojnë spitalin më herët. Pacientët i marrin këto ilaçe në baza ditore, 10 ditë rresht derisa qëndrojnë në spital.
Ky studim përfshinë një spektër të gjerë të pacientëve, nga ata me simptoma mesatare deri tek ata që janë në gjendje të rëndë dhe kritike, në kujdes intensiv.
Testimet bëhen në mënyrë të dyfishtë me metodën ku 50% të pacientëve iu nënshtrohen studimit Placebo ( dhënia e tabletave që kanë efekt psikologjik, substancë pa efekt terapeutik por që qetëson pacientin kinse i është dhënë ilaçi shërues) dhe 50% të pacientëve u jepet terapia e vërtet. Natyrisht, mjekët nuk do të dinë se cilët janë pacientët me placebo e cilët me terapi të vërtet në mënyrë që të dhënat të jenë objektive.
Studimet e deritashme në klinikat simotra të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Harvardit janë shpresëdhënëse sepse treguesit aktual dëshmojnë se ky ilaç ka tolerancë të mirë dhe efektet negative anësore janë të ralla. Duhet rikujtuar se ky ilaç jepet intravenoz dhe kjo është ana negative e këtij ilaçi sepse pacienti duhet të jetë i shtrirë në spital apo institucion shëndetësor.
Nëse hulumtimet shkencore vazhdojnë të japin rezultate pozitive në shkallën e cila e lejon përdorimin në masë atëherë do të jetë ky një LAJM SHUMË I MIRË dhe zgjidhje afat-shkurtër optimale për derisa nuk zbulohet ilaçi adekuat, vaksina apo metoda molekulare për shërimin dhe parandalimin e COVID19
Kjo është një shpresë e madhe dhe do të bëjë dallimin e madh për situatën në spitale dhe për pacientët e shtrirë në spitale.
Një tjetër studim që po bëhet në njërën prej klinikave më të mira në botë, “Brigham and Ëomen’s Hospital” që është pjesë e Klinikës Universitare të Fakultetit të Mjekësisë të Harvardit (https://www.brighamandwomens.org/about-bwh/bwh-history) përfshinë testimin në dy drejtime të Remdesivirit
Të dyja këto testime janë pjesë e hulumtimeve të Gilead Sciences dhe po mbikëqyren nga eksperti me famë botërore për sëmundje infektive, Dr. Francisco Marty, po ashtu profesor në Harvard https://connects.catalyst.harvard.edu/Profiles/display/Person/25892 .
Testimet në Brigham bëhen me metodën e zgjedhjes së rastësishme të pacientëve por jo edhe me placebo.
Të dy llojet e testimeve tentojnë të dëshmojnë nëse pacientët shërohen më shpejtë duke e përdorur Remdesivirin.
Një studim bëhet me pacientët që kanë simptoma të butë dhe mesatar, që do të thotë se duhet të jenë të hospitalizuar por jo edhe të përdorin ventilator. Disa nga pacientët janë zgjedhur rastësishëm nga 5 deri 10 ditë ndërsa të tjerët me simptoma të buta dhe mesatare trajtohen vetëm me kujdes simptomatik (vitamina, anti-inflamator dhe rehidrim).
Në një publikim për The Harvard Gazzete, Dr.Marty kishte theksuar se pacientët që janë pranuar me simptoma të lehta dhe mesatare, tashmë janë shëruar dhe janë kthyer në shtëpi.
Studimi i dytë është fokusuar tek pacientët me infektim të rëndë të cilëve u duhet ndihma e ventilatorit për frymëmarrje. Edhe atyre u jepet Remdesiviri për 5 deri 10 ditë.
Rezultatet aktuale, sipas këtij eksperti, dëshmojnë se aktualisht ky është ilaçi që po jep rezultatet më të mira dhe gjëja më e mirë që e kanë sepse po duket që po është në gjendje jo vetëm të mbrojë nga sëmundja por edhe ta sulmoj atë.
Një tjetër shpresë vjen nga terapia me anti-trupa të cilat organizmi i prodhon në mënyrë natyrale për ta luftuar infeksionin. Ky hulumtim përfshinë marrjen e plazmës nga pacientët e shëruar nga COVID-19 dhe përdorimi i tyre për të shëruar ata që janë në gjendje të rëndë.
Kjo është një ide dhe metod e vjetër më shumë se 100 vjet dhe është ri-aktualizuar tash kur pandemia e korona virusit ka marr hov të madh dhe situata është përkeqësuar.
Javën e kaluar më 24 Mars, Administrata për Ushqime dhe Ilaçe e SHBA-ve (FDA) e ka aprovuar përdorimin e plazmës nga pacientët e shëruar për të shëruara rastet më të rënda dhe kritike pas deklarimit publik të Guvernatorit të shtetit të Nju Jorkut, Andreë Cuomo se shteti i tij do të filloj këto teste.
Teknologjia e sotme e lejon qasjen e trajtimit specifik me plazmë e cila ka një shënjestër COVID19 kanë bërë të ditur mikrobiologët e HMS sepse pajisjet mundësojnë që të copëtojnë apo ndajnë saktësisht atë pjesë (fraksion) të plazmës së gjakut të pacientëve të shëruar dhe e cila mund ta luftoj sëmundjen.
Dikur këto “copëza” quheshin anti-toksine kurse tash i njohim si neutralizues të antitrupave.
Për të qenë më i qartë, këto janë molekula që janë aktive kundër patogjenëve specifik (baktere, virus apo mikroorganizma që mund të shkaktojnë sëmundje).
Pra, sot në kushte laboratorike është e mundshme që të ndahen dhe të “kapen” këto antitrupa të cilat mjekët dëshirojnë t’i përdorin ose si kombinim i tyre t’u jepet pacientëve si koktej i antitrupave
Po ashtu, metodat më bashkëkohore ua mundësojnë hulumtuesve që të saktësojnë se cilat antitrupa janë më të fuqishme, të prodhojnë pastaj në mënyrë artificial sasi të mëdha të tyre për të bërë testime në kultura qelizore, kafshë, njerëz dhe përfundimisht, t’i përdorin tek njerëzit e infektuar ose t’i përdorin për të mbrojtur punëtorët shëndetësor që janë në vijën e parë të frontit të luftës kundër COVID-19 duke parandaluar infektimin e tyre.
Ka po ashtu laboratorë të cilat janë duke përdorur metodën e “lidhjes së antitrupave ekzistues për majën apo kunjin e proteinës së virusit korona që ka shkaktuar epideminë e sëmundjes SARS në vitin 2003” për të ndërtuar antitrupa të ngjashëm dhe të aftë për të neutralizuar virusin COVID-19.
Një tjetër përpjekje përfshinë ekipet e hulumtuesve që po përdorin mikroçipat kompjuterik për të rikrijuar funksionet e organeve njerëzore duke përfshirë edhe mushkëritë dhe pastaj po i infektojnë me pseudovirusin e krijuar COVID-19 për të testuar ilaçet e aprovuara nga FDA.
Ekipet tjera janë duke përdorur algoritme kompjuterike për të parashikuar strukturat kimike të cilat mund të ndalin dhe pengojnë aspektet e ndryshme biologjike dhe patologjike të virusit.
Për ata që janë të interesuar të ndjekin këto hulumtime shkencore dhe çka po ndodh në laboratorët e Gerhard Wagner dhe Haribabu Arthanari të Blavatnik Institute në Fakultetin e Mjekësisë të Harvadrit (HMS), shkencëtari i cili po i kryen studimet post doktoraturës, Christoph Gorgulla ka zhvilluar një platformë kompjuterike që quhet VirtualFloë dhe e cila është burim i hapur. Kjo platformë ka kapacitet që në mënyrë rutinore të hulumtoj dhe kërkoj me miliarda e miliarda kompozime kimike apo molekula dhe veprimin e tyre ndaj një shënjestre të caktuar.
Në bashkëpunim me Google-in, kjo platformë është duke hulumtuar me miliarda komponime të cilat mund të prishin strukturën e proteinave të coronavirusit.
Për të ilustruar këtë proces hulumtues, shkencëtari Arthanari ka thënë se ajo çka po bënë ekipi në laboratorë është se “ po tenton ta ndal veturën në lëvizje duke ia qëlluar gomat apo motorin”. Sipas këtij ekipi, ata shpresojnë që brenda dy javësh ta kenë listën e komponimeve të cilat mund të veprojnë kundër COVID-19 por të cilat pastaj duhet të vazhdohet të hulumtohen dhe të testohen.
Këtë mënyrë të hulumtimeve e quajnë “dizajnim i molekulave të vogla” dhe qendrat e ndryshme hulumtuese po përdorin mjete të ndryshme duke tentuar të dizajnojnë “molekulë të re” e cila do të sulmoj virusin.
Ka edhe shkenctarë që këtij problemi i janë qasur në mënyrë teorike duke modeluar efektet e ilaçeve të ndryshme si Chloroquine e Remdesiviri apo edhe vacinat e mundshme për të parë se cilat nga këto mund të ken ndikim të mirëfilltë në ndaljen e përhapjes së pandemisë, bazuar në efektivitetin e tyre dhe kohën kur ato mund të jenë të qasshme për përdorim të gjerë, në mbarë botën.
Personalisht mendoj se kjo metodë është shumë e rëndësishme për t’i ndihmuar institucionet e shëndetit publik dhe qeveritë anembanë botës për t’i planifikuar hapat e ardhshëm dhe si do të sillen sistemet shëndetësore. Me një fjalë, kjo qasje teorike do të ndihmoj sistemet e shëndetit publik që të kuptojnë ndikimin të cilin këto ilaçe dhe metoda shëruese/parandaluese do t’i kenë kundrejt COVID-19 dhe pastaj të planifikojnë masat që duhet ndërmarr në 6 muajt e ardhshëm.
Po ashtu, ajo çka po shohim sot është se kjo sëmundje vdekjeprurëse i ka bashkuar shkenctarët, hulumtuesit dhe mjekët nga mbarë bota të cilët po i ndajnë në baza ditore rezultatet e arritura me vetëm një qëllim: të luftohet dhe të gjendet ilaçi për virusin.
Si thonë, në çdo të keqe ka diçka të mirë dhe kjo situatë e krijuar botën shkencore e ka mobilizuar dhe detyruar të veproj sipas asaj thënies së vjetër të musketarëve të Dumasë “të gjithë për njërin dhe njëri për të gjithë” në betejë kundër kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse. Kjo qasje ka mundësuar që të mblidhen të dhënat nga spitalet dhe laboratorët shkencorë nga mbarë bota dhe pastaj ato të publikohen dhe të bëhen të qasshme për të gjithë hulumtuesit tjerë kudo që janë. Në këtë mënyrë, është mundësuar që në mënyrën sa më të shpejtë të informohet numri sa më i madh i shkenctarëve dhe hulumtuesve që mund të përfitojnë nga të dhënat e mbledhur nëpër botë duke i aplikuar dhe eventualisht për ta quar në drejtim të duhur tërë këtë betejë: PËR TA GJETUR ILAÇIN.
Kjo është e gjithë ajo që po ndodh aktualisht në shumë laboratorë bio-shkencorë dhe bio-mjekësore hulumtuese , klinika universitare apo edhe laboratorë të kompanive farmaceutike të cilat po ndjekin dhe po provojnë strategji të ndryshme në përpjekje për të gjetur zgjidhje për të luftuar korona virusin.
Duke qenë se tash e tre muaj po merrem me hobin tim dhe profesionin që nuk e kam diplomuar kurrë, mjekësinë dhe hulumtimet mjekësore, sidomos ato që kanë të bëjnë me sëmundjet infektive të shkaktuara kohëve të fundit (Bill Gates është duke bërë revolucion në këtë drejtim) DUHET TË KONSTATOJ se ky është alarmi më serioz deri tash që njerëzimi të këndellet dhe t’i kushtoj rëndësi ambientit dhe natyrës, si dhe asaj se çfarë është duke i bërë Planetit.
Sado e dhimbshme dhe e rëndë që është kjo sëmundje, COVID19 ka alarmuar gjithë botën se çka mund të ndodh në të ardhmen si pasoj e ngrohjes globale dhe lirimit të shumë mikroorganizmave të cilat me mijëra e ndoshta edhe miliona vite kanë qenë të ngrira nën akullin i cili po shkrihet gjithandej dhe ndaj të cilave mikroorganizma njeriu nuk ka imunitet (kemi shembullin e fiseve që ne po i quajmë primitive dhe të cilat jetojnë të izoluara nëpër xhungla dhe pyje të dendura, larg asaj që NE po e quajmë civilizim dhe të cilat kur vijnë në kontakt me virus ndaj të cilëve “bota e civilizuar” është imune si p.sh. enterokolite apo sëmundje të ngjashme, ata vdesin).
Situata gjithsesi se është e rëndë, njerëzit po sëmuren e po vdesin anekënd botës dhe çdo jetë e humbur është humbje e madhe e një familjeje dhe shoqërie por ajo çka po shohim kohëve të fundit është ajo që bota moderne apo e “civilizuar” e ka humbur dekadave të fundit: humanitetin, solidaritetin dhe bashkëpunimin e sinqertë.
PO, ka edhe shumë aspekte tjera të shëndetit mental, aspekte ekonomike, politike, sociale e shumë e shumë aspekte të tjera për të cilat kemi me fol edhe shumë e shumë vite POR mos harroni se një gjë të cilën shumica jemi duke e përmend dhe diskutuar, dikush si në hajgare e dikush më seriozisht : PLANETI TOKË është duke pushuar dhe po këndellet nga krijesa që më së shumti ka përfituar por edhe më së shumti e ka dëmtuar: nga NE, njerëzit.
Ndërkohë, NE njerëzit u jemi kthyer njëri tjetrit dhe po kujdesemi më shumë për prindërit dhe gjyshëritë, për komshinjtë më të vjetër, për fëmijët, kushërinjtë e miqtë, shoqërinë në përgjithësi. Kam ndjenjën se kemi filluar të jemi mirënjohës për sendet e thjeshta që e bëjnë njeriun të lumtur dhe para gjithash, shëndetin.
Kjo sëmundje ka filluar t’i vetëdijesoj njerëzit se pavarësisht nga fama apo pasuria që e kanë, vjen momenti kur e gjithë ajo nuk vlen pesë pare dhe se humaniteti dhe solidariteti që e kemi humbur nuk ka çmim.
Sa do të zgjas kjo? Mbetet të shihet.
Po shpresoj se nuk do ta hrrojmë ditën e parë kur të hapen kafeteritë dhe restorantet, apo kur t’i hipim aeroplanit të parë për ta ndotur përsëri ozonin dhe për t’ju kthyer luksit dhe stilit konsumues të jetës i cili (në të shumtën e rasteve, pa vetëdijen tonë) ka ndikuar në shkatërrimin e planetit të vetëm që e kemi për të jetuar në të: TOKËS.
Krejt në fund, e fillova këtë shkrim me të arriturat e fundit mjekësore dhe shkencore, pasionit dhe dashurisë time të parealizuar (ja edhe një gjë në të cilën ka ndikuar kjo situatë) duke u munduar që të pasqyroj një të miliardëtën pjesë të asaj që po bëhet sot në botë për të luftuar këtë sëmundje por m’u deshtë ta përmbylli me një pjesë të vogël të asaj se si ka ndikuar e tërë kjo situatë në ndryshimin e stilit dhe ritmit të jetës së secilit prej nesh, pikëpamjeve dhe para se gjithash, po shpresoj edhe prioriteteve.
Ndërkohë, rrini n’shpi, lani duart, kujdesuni për njëri tjetrin dhe kujdesuni për të tjerët.
(Agon Fehliu është gazetar i sportit, aktualisht drejtor i programit të sportit në ArtMotion)