Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas takimit me Presidentin Hashim Thaçi, ka deklaruar edhe një herë se kërkon shpalljen e zgjedhjeve për Qeverinë e re, pasi sipas tij, kështu interpretohet edhe në Kushtetutë, shkruan Gazeta Metro.
Në një prononcim për media pas takimit, Kurti deklaroi se Kushtetuta thotë se pas mocionit, duhet të shpallen zgjedhjet dhe të formohet Qeveria e re e Kuvendi i ri.
“Kushtetuta e Kosovës nuk krijon mundësi që ne të kemi Qeveri të re, pa Kuvend të ri, pa zgjedhje të reja. Presidenti u zotua se do t’i repsektojë ligjet dhe praktikat e mëhershme”, tha Kurti.
Sipas tij, Presidenti nuk duhet të merret me politikanë e subjekte të caktuara politike, por të shpallë datën e zgjedhjeve të reja, shkruan Gazeta Metro.
“Edhe më parë ka rënë Qeveri dhe më pas është shpërndarë Kuvendi dhe janë shpallë zgjedhje të reja. Ne kemi theksuar qëndrimin tonë se
Presidenti nuk duhet të merret me emra njerëzish e partish, por me data për zgjedhje të reja këtë vit. Ndodhemi në betejën intensive kundër virusit korona, mnbase kjo do të mund ta shtyejë datën e zgjedhjeve”, tha ai.
Ndryshe, pas Kurtit, Presidenti Thaçi është duke zhvilluar takim me liderin e LDK’së, Isa Mustafën, ndërsa në orën 11:00 ai e pret në zyrë Kryetarin e PDK’së, Kadri Veselin.
Kujtojmë se konsultimet e presidentit me liderët e partive politike vijnë pas rrëzimit të Qeverisë Kurti më 25 mars, më 82 vota për, 32 kundër dhe një abstenim.
Sipas Presidentit, vendit i duhet sa më parë Qeveria e re, e që sipas tij, është një gjithëpërfshirëse.
Për formimin e kësaj Qeverie janë pajtuar të gjitha partitë politike në vend, më përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po kërkon shpalljen e zgjedhjeve të reja.














